MOSKË, 16 mars 2013 – Në Shqipëri ekzistoka një kompani italiane, pronare e “një miniere gjigante kobalti”, lajmin e pabesueshëm e jep një medie ruse.

Par disa kohësh, agjencia e pavarur ruse e lajmeve “Ural-Press” njoftonte se “në tetor të vitit 2012, pronari i ri i sh.a. “Ufalejnikel” – kompania “High Metals KDS”, që përfaqëson interesat e biznesmenëve nga Moska, vëllezërve Aleksandër dhe Artjom Timofejev – filloi negociatat me kompaninë italiane që zotëron një minierë gjigante kobalti në Shqipëri, duke bërë porositë përkatëse për t’u furnizuar me koncentrat kobalti” (http://uralpress.ru/news/2012/10/02/proizvodstvo-kobalta-v-oao-ufaleynikel-v-blizhayshee-vremya-vozobnovleno-ne-budet).

Uzina

“Ufalejnikel”, që ndodhet në qytetin Ufalej i Sipërm në Urale, është prodhuesi i dytë i nikelit në Rusi, ku në tregun e brendshëm jep 15 për qind të prodhimit të nikelit metalik dhe 1 për qind të prodhimit botëror.

Përveç nikelit prodhon dhe kobalt.

Është kompleks me cikël të plotë prodhimi, nga nxjerrja e mineralit të nikelit deri në produktin e gatshëm.

Aktualisht mund të prodhojë deri në 15.000 tonë metal në vit.

Por për shkak se kompania e fuqishme ruse e nxjerrjes dhe shkrirjes së nikelit dhe paladit “MMC Norilsk Nickel” i ka ndërprerë furnizimet me koncetrat kobalti, puna në uzinën e “Ufalejnikel”-it u ndërpre.

Kjo ka qenë arsyeja që pronarët e uzinës i kanë hedhur sytë në Shqipëri.

Shqipëria

Minerali i hekur-nikelit në Shqipëri ka përmbajtje kobalti, për të cilin në ish-kombinatin metalurgjik “Çeliku i Partisë” në Elbasan u ngrit një uzinë për shkrirjen e tij.

Nga ana tjetër, në vitet 2005-2011, vetë Shqipëria ka importuar sasi të vogla kobalti, sipas statistikave të OKB-së.

 

Viti        Në vlerë      Pesha (kg)    Sasia

2005       $2,113          50                 50

2006      $3,856           23                 23

2007      $29,052        182               182

2008      $2,706              9                   9

2009      $12,355           98                 98

2010      $23,400         105               105

2011      $51,282         374               374

Shënim: Sasia përfaqëson peshën në kilogram

Burimi: Databejzi i Statistikave të Tregtisë së Metaleve të Çmuara i OKB-së (United Nations Commodity Trade Statistics Database)

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/