MOSKË– Temperaturat e ulëta që kanë përfshirë Rusinë kanë shkaktuar vdekjen e dy personave në 24 orë duke e çuar në 56 numrin e të vdekurve nga vala e të ftohtit, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Ria-Novosti.
"Në 24 orët e fundit, 153 persona kanë qenë viktima të motit me ngrica, 58 janë dërguar në spital për të marrë kujdesin e nevojshëm dhe dy kanë humbur jetën'', sipas një burimi mjekësor, cituar nga agjencia e lajmeve.
Që prej fillimit të motit të ftohtë, 371 persona janë shtruar në spital dhe 56 kanë vdekur.
Që prej 14 dhjetorit, temperaturat kanë rënë në minus 20 gradë Celsius në Moskë dhe rreth minus 50 gradë Celsius në disa rajone të Siberisë.
Shërbimet meteorologjike kanë parashikuar se vala e të ftohtit do të zgjasë deri në fillim të javës së ardhshme.