SHBA, 18 mars 2014 – Asnjeherë më parë në 20 vjet, që nga fundi i Luftës së Ftohtë, Rusia dhe Perëndimi nuk ishin vënë përballë njëri-tjetrit në një kurs të tillë përplasjeje.
Spiralja e situatës ku janë përfshirë të dy palët mori tjetër hov me përfundimin e referendumit në Krime dhe 97 përqindeshin e votave pro-bashkimit me Rusinë. Për të krijuar një ide sa më të qartë se në ç’pikë janë tensionuar marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit duhet të ndjekësh kanalin shtetëror televiziv rus, thotë BBC.
Në edicionin informativ të mbrëmjes, prezantuesi i njohur për besnikërinë ndaj Kremlinit, qëndronte përpara një fotografie sfondi që lë mjaft vend për intepretim: pamja ishte ajo e një bombe bërthamore duke shpërthyer. Rusia, tha ai, është vendi i vetëm në botë që ka aftësinë t’i kthejë Shtetet e Bashkuara në pluhur radioaktiv… dhe nuk po bënte shaka.
Në anën tjetër të hendekut, Barak Obama njofton se do të udhëtojë këto ditë në Europë ndërsa numri dy i administratës së tij, Xho Bajden do të vizitojë Poloninë dhe Lituaninë. Mesazhi ynë është i qartë, shprehet Obama. Si aleatë të NATO-s kemi angazhimin solemn të mbrojtjes kolektive e do t’i qëndrojme deri në fund.
Kthesa nga diplomacia në konfrontim u bë e pashmangshme pas injorimit të vazhdueshëm të thirrjeve të Perëndimit për tërheqjen e trupave ruse nga Krimeja e për ndalimin e referendumit atje. Që nga përfundimi i votimit të dielën, Rusia ka vazhduar të bëjë përpara me një ritëm të vrullshëm për aneksimin e gadishullit, duke ndjekur një kurs tashmë të pandalshëm.
Edhe më të drejtpërdrejta se masat e BE-së, sanksionet e Uashingtonit shkuan përtej shënjestrimit të politikanëve të fuqishëm e këshilltarëve. Në krye të listës së saj, Amerika vuri një prej ndihmësve më të ngushtë të presidentit rus, Vladislav Surkov, arkitekti i stilit autoritar qeverisës apo i asaj që mund të quhet “një vertikale pushteti”, në majën së cilës vazhdon të qëndrojë triumfator Putini. I dyti në radhë, Sergei Glazyev, krahu i djathtë i shefit të Kremlinit në Ukraine.
9 të tjerët përfshijnë kryetarin e Dhomës së Lartë të parlamentit, zevendeskryeministrin dhe liderin e rusëve etnikë në Krime. Surkovi u përgjigj me buzëqeshje: ‘Jam i nderuar,- tha ai. S`kam asnjë llogari bankare jashtë kufijve’.
Pyetjet që shtrohen tani janë: Deri ku do të shkojnë të dyja palët? A do të ketë një raund tjetër sanksionesh? A do t’i dërgojë Vladimir Putini trupat e tij në lindje të Ukrainës dhe mbi të gjitha, cili do të jetë reagimi i Perëndimit ndaj asaj që tashmë po etiketohet si “Lufta e Re e Ftohte”.
Rusia pezullohet nga G8
Ministri francez i Punëve të Jashtme Laurant Fabius ka deklaruar se liderët vendeve anëtare të G8-ëS kanë pezulluar anëtarësimin e Rusisë nga ky grup për shkak të tensioneve rreth Ukrainës dhe forcave ruse në Krime.
Shtatë vendet anëtare të G8, më të zhvilluarat të botës, kanë pezulluar përgatitjet për G8 që është dashur të mbahej në qytetin Soçi të Rusisë në qershor, njofton AP.
Fabius ka deklaruar se këto shtatë vendet kanë pezulluar anëtarësimin e Rusisë. Më herët Fabius kishte thënë se nëse Rusia vazhdon me akte agresioni në Ukrainë, nuk përjashtohet as përdorimi i forcës.
Putin firmos, Krimea pjesë integrale e Rusisë
MOSKE – Presidenti rus Vladimir Putin firmosi sot në Kremlin marrëveshjen me drejtues të rajonit të Krimeas, për bashkimin e tyre me Federatën Ruse. Marrëveshja duhet të ratifikohet nga parlamenti rus, në të njëjtën kohë me një ligj të ri.
“Propozoj Asamblesë Federale që të miratojë një ligj për të përfshirë në Federatën Ruse dy subjekte të reja, Krimenë dhe qytetin e Sevastopolit”,- deklaroi Putin.
Në një fjalim në parlamentin rus, presidenti Putin deklaroi se kalimi i Krimesë drejt Ukrainës ishte fryt i shkeljeve të rënda dhe u vendos pas kuintave në një shtet totalitar duke i vënë njerëzit përballë faktit të kryer.
Presidenti Putin tha se “Krimea ka qenë dhe është në zemër të rusëve, pjesë integrale e Rusisë”. Sipas tij, referendumi në Krime u zhvillua në përputhje me të drejtat ndërkombëtare, ndërsa rezultati i tij ishte shumë bindës.
Të hënën, Putin nënshkroi një dekret që njeh rajonin ukrainas të Krimesë si "një shtet sovran dhe të pavarur". Presidenti Putin nënshkroi dekretin, duke sfiduar Evropën dhe Shtetet e Bashkuara vetëm disa orë pasi Uashingtoni dhe Brukseli vendosën sanksionet e para kundër zyrtarëve rusë për mbështetjen e referendumit të së dielës për shkëputje të Krimesë nga Ukraina.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





