Lufta në Lindjen e Mesme po sjell përfitime të mëdha financiare për Rusinë, e cila sipas raportimit të Financial Times po fiton rreth 150 milionë dollarë shtesë në ditë nga eksportet e naftës.

Sipas të dhënave të publikuara, vetëm gjatë 12 ditëve të para të luftës, buxheti rus ka përfituar mes 1.3 dhe 1.9 miliardë dollarë të ardhura shtesë. Rritja lidhet me rritjen e çmimit të naftës dhe kërkesën e papritur për naftën ruse në tregjet ndërkombëtare.

Analistët vlerësojnë se nëse çmimi mesatar i naftës mbetet mes 70 dhe 80 dollarë për fuçi, fitimet e Rusisë gjatë muajit mars mund të arrijnë nga 3.3 deri në 4.9 miliardë dollarë.

Përshkallëzimi i konfliktit dhe tensionet në rajon, veçanërisht rreth Ngushticës së Hormuzit, kanë krijuar pasiguri në tregjet globale të energjisë dhe kanë shtyrë shumë vende të kërkojnë burime alternative furnizimi, duke rritur kështu kërkesën për naftën ruse.

Ekspertët paralajmërojnë se ndërsa kjo situatë po sjell përfitime të menjëhershme për Moskën, paqëndrueshmëria e tregjeve dhe tensionet gjeopolitike mund të ndikojnë në afatgjatë në ekonominë globale dhe në tregtinë e energjisë.