Rusia tha të enjten se po dëbon nëntë diplomatë nga Finlanda, fqinji i Rusisë dhe anëtari më i ri i NATO-s, në një masë hakmarrëse.

Finlanda kishte dëbuar nëntë diplomatë rusë muajin e kaluar, duke i akuzuar ata se punonin në misionet e inteligjencës.

Rusia ka vendosur gjithashtu të mbyllë konsullatën finlandeze në Shën Petersburg, tha Ministria e Jashtme ruse, duke akuzuar Finlandën për një politikë “konfrontuese” ndaj Moskës.

“U vërtetua se parametrat e diskutuar aktualisht të hyrjes së Finlandës në NATO paraqesin një kërcënim për sigurinë e Federatës Ruse dhe se inkurajimi i regjimit të Kievit për të shkuar në luftë dhe për ta pompuar atë me armë perëndimore janë veprime të qarta armiqësore kundër vendit tonë”, thuhet në deklaratën ruse.

“Kjo linjë nga autoritetet finlandeze nuk mund të mbetet pa përgjigje.”

Presidenti finlandez Sauli Niinisto i përshkroi masat si “një përgjigje të ashpër dhe asimetrike ndaj vendimeve të Finlandës për dëbim”.

Ai tha se Finlanda po përgatitej të mbyllte konsullatën ruse në Turku si përgjigje.