·       Mediet afër Putinit mbështesin sulmet e opozitës dhe të një deputeti socialist ndaj qeverisë shqiptare për shkak të përkrahjes së Uashingtonit

DURRËS, 26 maj 2015 –  “Kredia që u miratua prej Bankës Botërore është një skandal që shërben si insulinë për fushatën pa oksigjen të Edi Ramës”, deklaroi më 22 maj 2015 opozita shqiptare. “Shqipëria e Madhe kushton 1,2 miliardë dollarë” dhe “Banka Botërore ka vendosur të mbështesë Shqipërinë me 1,2 miliard dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, vetëm për “aspiratë”. Një histori e tillë marrëdhëniesh politike-financiare nuk është parë dhe dëgjuar më parë. Banka Botërore e kontrolluar nga Uashingtoni premtoi të “mbështesë” vendin vetëm për “aspiratat e Shqipërisë për rritje të drejtë dhe integrim në Bashkimin Evropian”. Në përgjithësi, Banka Botërore nuk është shquar asnjëherë për dashuri të veçantë ndaj Bashkimit Evropian dhe zgjidhjes së problemeve të tij, për më tepër ndaj problemeve të pranimit në BE të partnerëve të mundshëm dikur në të ardhmen”, shkruajnë më 25 dhe 26 maj 2015 mediet ruse të kontrolluara nga Vladimir Putin.

 “Mënyra se si transformuam marrëdhëniet me tri shtete në një javë tregon se si funksionon demokracia jonë. Ajo është një pengmarrje ndaj të dobëtëve si në rastin e Maqedonisë, një hile me ata që s’mendojnë si ti, si në rastin e Greqisë dhe një përulje mashtruese ndaj të fortëve, si në rastin e Turqisë”, shkruan më 25 maj 2015 një deputet socialist i promovuar nga lidhjet nepotike me Fatos Nanon, duke qenë në një gjatësi vale me Kremlinin. Po më 25 maj 2015 shtypi rus shkruante: “Ngjarjet që lidhen me Shqipërinë, edhe një herë zunë vendet e para në renditjen e agjencive të lajmeve. Në veçanti, provokimi në qytetin maqedonas të Kumanovës më 9 maj [2015], ku ndërhynë luftëtarë shqiptarë… Në vend filloi një fazë destabiliteti politik, që për fat të mirë, kaloi në një kurs paqësor. Të rëndësishme janë jo vetëm paratë. SHBA gjithmonë e nxit moralisht Shqipërinë për çdo arrogancë ndaj popujve sllavë… Nuk duhet harruar se projekti shqiptar është vullkan vazhdimisht në veprim. Në Shqipëri, vend i varfër, ka shumë popullsi mashkullore të papunë. Dhe shumë armë. Armët mund të ketë edhe më shumë – nëse është e nevojshme, do të furnizojnë sponsorët amerikanë. Kur qeveria dhe opozita në Maqedoni u ulën në tryezën e bisedimeve, menjëherë morën një përshëndetje të re nga Tirana. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkoi nga autoritetet maqedonase që të zgjidhnin me shpejtësi “çështjen shqiptare”… dy javë pas ngjarjeve në Maqedoni, Shqipëria ndërmerr një demarsh të padëgjuar arrogant kundër Greqisë. Pakënaqësinë e Shqipërisë e shkaktoi gjithashtu ftesa drejtuar kompanive ruse dhe kineze në tenderin për nxjerrjen e naftës dhe gazit në detin Jon. As më shumë e as më pak, pala shqiptare u kërkon grekëve të heqin dorë nga planet për nxjerrjen e burimeve në detin Jon, t’i paraqesin hartat dhe rezultatet e kërkimeve gjeologjike në veri-perëndim të Greqisë, gjithashtu, duke shfaqur shpirtvogëlsi, të dërgojnë në Tiranë informacion sekret mbi territoret greke… Tani në Shqipëri gjendja e ekonomisë është me keqja për të gjithë kohën e fundit. Vendi është zhvilluar disa herë më keq se të gjithë fqinjët. Ndërkaq, sikurse dihet, popullit, të çuar deri në varfëri, është më e lehtë se gjithçka t’i përrallisësh për Shqipërinë e Madhe të ardhme. Gjëja kryesore tani është të mos ulet tempi i “zellit”. Kurse atje, ti sheh se si do të bien nga qielli para nga Amerika”.  

Më 25 maj 2015 ish-Kryeministri Sali Berisha i turret përfaqësueses së BE-së në Tiranë. Po atë ditë, me ndihmën e “kolonës së pestë”, ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë siguroi intervistë në një televizion kombëtar shqiptar, ku u mundua të sqarojë pozicionin e Kremlinit në Ballkan dhe Shqipëri.

Ka ende disa ngjasime mes opozitës, politikanëve, medieve snobe të Tiranës dhe mjeteve të komunikimit masiv të Moskës lidhur me ngjarjet e fundit në Ballkan dhe rolin e Shqipërisë në të. Mjaft simptomatik është artikulli i mëposhtëm i gazetës “Russkaya planeta”, që është marrë nga mjaft medie të tjera, ku citohen dhe analistë pranë Vladimir Putinit.

TEKSTI

Shqipëria e Madhe kushton 1,2 miliardë dollarë / Me paratë e Amerikës krijohet një vatër e re tensioni.

Banka Botërore ka vendosur të mbështesë Shqipërinë me 1,2 miliard dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, vetëm për “aspiratë”. Një histori e tillë marrëdhëniesh politike-financiare nuk është parë dhe dëgjuar më parë. Banka Botërore e kontrolluar nga Uashingtoni premtoi të “mbështesë” vendin vetëm për “aspiratat e Shqipërisë për rritje të drejtë dhe integrim në Bashkimin Evropian”. Në përgjithësi, Banka Botërore nuk është shquar asnjëherë për dashuri të veçantë ndaj Bashkimit Evropian dhe zgjidhjes së problemeve të tij, për më tepër ndaj problemeve të pranimit në BE të partnerëve të mundshëm dikur në të ardhmen. Lidhur me Shqipërinë, me sa duket, jo se njëqind vjet më parë.

Këtu, sigurisht, ka arsye tjetër, dhe kjo gjithashtu del në pah mirë. Javët e fundit, ngjarjet që lidhen me Shqipërinë, edhe një herë zunë vendet e para në renditjen e agjencive të lajmeve. Në veçanti, provokimi në qytetin maqedonas të Kumanovës më 9 maj [2015], ku ndërhynë luftëtarë shqiptarë. Tetë policë u vranë dhe 37 u plagosën. Në vend filloi një fazë destabiliteti politik, që për fat të mirë, kaloi në një kurs paqësor. “Të rëndësishme janë jo vetëm paratë. SHBA gjithmonë e nxit moralisht Shqipërinë për çdo arrogancë ndaj popujve sllavë”, – thotë një figurë e njohur shoqërore dhe drejtor i Institutit të Studimeve Politike Sergei Markov [këshilltar i Putinit – “Dyrrah”].

Nuk duhet harruar se projekti shqiptar është vullkan vazhdimisht në veprim. Në Shqipëri, vend i varfër, ka shumë popullsi mashkullore të papunë. Dhe shumë armë. Armët mund të ketë edhe më shumë – nëse është e nevojshme, do të furnizojnë sponsorët amerikanë. Kur qeveria dhe opozita në Maqedoni u ulën në tryezën e bisedimeve, menjëherë morën një përshëndetje të re nga Tirana. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkoi nga autoritetet maqedonase që të zgjidhnin me shpejtësi “çështjen shqiptare”.

Shqiptarët etnikë në Maqedoni zënë 25 për qind të popullsisë. Në vitin 1961 ishin vetëm 13 për qind. Shqiptarët janë gjithsej dy herë më pak se maqedonasit që jetojnë në vend. Përveç kësaj, në territorin e vendit vazhdimisht veprojnë luftëtarë të “Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, që lëvizin sa në Shqipëri dhe sa në Maqedoni.

 “Zgjidhja e çështjes shqiptare” në Maqedoni është eufemizëm, që shënon praktikisht kontrollin e plotë të Tiranës mbi qeverinë e Shkupit. Si hap i dytë është i mundshëm aneksimi i Maqedonisë perëndimore nga shqiptarët, dhe kjo do të thotë luftë përsëri. Ose shqiptarët e Maqedonisë sërish do të përsëritin së bashku me të tjerë opozitarë orvatjen për grusht shteti. Ndërsa në këtë rast, ndërsa shqiptarët nuk kërkojnë autonomi speciale, dhe si “të zgjidhet çështja shqiptare”, në thelb, është gjë e panjohur. Por nëse nuk do të duan ta “zgjidhin”, atëherë Kryeministri Edi Rama premtoi të dërgojë 7 milionë shqiptarëve t’u "vijnë në ndihmë vëllezërve të vet”. Domethënë, kjo është as më shumë e as më pak shantazh i hapur. Dhe ai [shantazhi] mund të zgjasë aq gjatë sa të shihet e volitshme.

Me këtë amerikanët arritën një objektiv të caktuar. Të gjithë udhëheqësit e vendeve ballkanike u shqetësuan seriozisht nga kriza maqedonase-shqiptare. Ministri i jashtëm serb Aleksandër Vuçiç pranoi drejtpërdrejt: “Për herë të parë jam shqetësuar paksa”. Por, duke njohur kreun e dikasterit serb të Punëve të Jashtme, mund të thuhet me bindje se e gjitha kjo e frikëson seriozisht. Përveç kësaj, pikërisht në territorin e Kosovës ndodhet baza ushtarake më e madhe amerikane në Evropë “Bondsteel”. Dhe kjo është një nga arsyet e arrogancës së nacionalistëve shqiptarë.

Jo vetëm me paratë, thonë ekspertët – që do të paguhen në të ardhmen ose që janë paguar tashmë – SHBA-ja shtyn Shqipërinë në realizimin e projektit të “Shqipërisë së Madhe”. Nëpërmjet prizmit të nacionalizmit shqiptar  fitorja mbi Kosovën ka qenë vetëm një pjesë e politikës inkurajuese amerikane e planit skizofrenik për të zgjeruar territorin e Shqipërisë me veriun e Greqisë, perëndimin e Malit të Zi, rajonet shtesë të Serbisë dhe lindjen e Maqedonisë. Dhe gjëja e në brengosëse është se shumë shqiptarë mund të mbështesin këtë ide të rrezikshme – të gjithë këta ata e kanë pasur.

Shteti kukull “Shqipëria e Madhe” në kufijtë e mësipërm u krijua në vitin 1941 me ndihmën e trupave fashistë italianë. Menjëherë iu vu zjarri rajoneve serbe. U dogjën dhjetëra mijëra shtëpi, u vranë dhjetë mijë serbë, më tepër se qindra mijëra të tjerë u arratisën në veri të Serbisë dhe në Malin e Zi. Po aq – njëqind mijë shqiptarë – hynë në Kosovë, duke vënë një bombë të fuqishëm në unitetin e shtetit serb. Ajo që funksionoi atëherë, do të funksionojë dhe tani.

Meqë ra fjala, një pjesë e konsiderueshme e “Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, e cila mori përgjegjësinë për operacionin në Kumanovë, deri kohët e fundit mbante veshur uniformë të zezë, pothuajse fashiste, terroristët përshëndetnin njëri-tjetrin dorën e ngritur lart. Dhe vetëm nën presion e sponsorëve të vet kaluan në përshëndetjen e miratuar në ushtrinë amerikane. Çfarë skenari i njëjtë kudo: i rëndomtë, banal, gjithsesi i përgjakshëm!

Në vitin 1997, kur xhirohej film i famshëm “Wag the dog”, askujt nuk i ka shkuar në mendje se ngjarjet e luftës virtuale në të ardhmen do të lidheshin drejtpërdrejt me Shqipërinë? Ose nuk ka rastësi? Në fund të fundit, pak njerëz kujton kuadrot më të fundit dhe fjalët e filmit. Në lajme njoftohet: “Ka gjasa që të vazhdojnë veprime ushtarake në Shqipëri”.

Tekstualisht dy javë pas ngjarjeve në Maqedoni, Shqipëria ndërmerr një demarsh të padëgjuar arrogant kundër Greqisë. Pakënaqësinë e Shqipërisë e shkaktoi gjithashtu ftesa drejtuar kompanive ruse dhe kineze në tenderin për nxjerrjen e naftës dhe gazit në detin Jon. As më shumë e as më pak, pala shqiptare u kërkon grekëve të heqin dorë nga planet për nxjerrjen e burimeve në detin Jon, t’i paraqesin hartat dhe rezultatet e kërkimeve gjeologjike në veri-perëndim të Greqisë, gjithashtu, duke shfaqur shpirtvogëlsi, të dërgojnë në Tiranë informacion sekret mbi territoret greke.

Analisti kryesor i kompanisë investuese “Pragmatika” Roman Tkaçuk komenton: “Sigurisht, nuk është hera e parë që Shqipëria bie në sy në lojërat politike duke mbajtur anën e SHBA-së. Por kur një vend ndodhet në situatë të rënduar ekonomike, sikurse është tani Shqipëria, mund të jetë shumë e thjeshtë ta angazhosh nga pikëpamja monetare në një projekt përgjithësisht mediokër [kërkimi e nxjerrjeje] nafte në detin Jon”. Duhet vetëm ta shtysh. Mihail Aristanisyan, drejtues i sektorit të informacionit dhe analizës së tregjeve botërore i firmës investuese “Finam” vazhdon: “Tani në Shqipëri gjendja e ekonomisë është me keqja për të gjithë kohën e fundit. Vendi është zhvilluar disa herë më keq se të gjithë fqinjët. Ndërkaq, sikurse dihet, popullit, të çuar deri në varfëri, është më e lehtë se gjithçka t’i përrallisësh për Shqipërinë e Madhe të ardhme. Gjëja kryesore tani është të mos ulet tempi i “zellit”. Kurse atje, ti sheh se si do të bien nga qielli para nga Amerika”.

Sergei Markov thotë se “nuk është vetëm “Rryma turke” që favorizon ashpërsimin e agresivitetit të SHBA-së dhe përfshirjen e Shqipërisë në gjithfarë konfliktesh. Nuk duhet harruar “Rruga e mëndafshit” e Kinës, në të cilën gjithashtu merr pjesë Rusia dhe vendet fqinje”.

Roman Tkaçuk, duke bërë vlerësimin e situatës rreth “Rrymës turke”, vëren: “Sigurisht, tani Rusia ka probleme të vështira në procesin e negociatave. Turqia ka  në duar letra të fuqishme “bixhozi”, dhe padyshim ato do të përdoren – sigurisht kjo gjë do të shoqërohet me zbritje çmimi të gazit”. Por projekti mbetet i leverdishëm për Turqinë në çdo “ndarje letrash”. Evropa, sipas ekspertit, qëndron në këtë situatë mënjanë, përderisa po lufton me vendosmëri për sigurinë e saj energjetike dhe pavarësinë nga gazi rus. Me pak fjalë, pret se ç’do të ndodhë: dëshiron të blejë diçka në Iran, diçka – në Rusi, diçka – në Algjeri.

“Unë i besoj “Rrymës turke”! – përfundon me optimizëm dhe energji analisti për probleme të energjetikës Pavel Jemeljancev. – Gjithçka e zgjidhin paratë, në fund të fundit, leverdia. Për Evropën “Rryma turke” është e leverdishme objektivisht. Madje duke pasur parasysh vazhdimin e politikës së sigurisë energjetike. Natyrisht,  shumë burime energjie është një gjë shumë e mirë për Evropën. Por kjo nuk është vetëm çështje çmimi, kurse çmimi te “Gazprom”-i do të mbetet konkurrues gjithashtu në çdo rast. Kjo është edhe çështje kohe, për rrjedhojë, përsëri paratë. Për realizimin e të gjitha projekteve të veta iraniane dhe gjithfarë të tjerash Evropës do t’i marrë shumë kohë dhe para. Dhe aq ujë, naftë dhe gaz do të rrjedhë! Sipas mendimit tim, euroburokratët e sigurisë energjetike më shumë flasin sesa bëjnë diçka. Gjëja kryesore ka ndodhur tashmë – Ukraina përfundimisht ndali së luajturi ndonjë rol në planet energjetike dhe ato të tjera të Evropës. Ukraina është problem i pazgjidhshëm për vite të tëra! Alternativë, në thelb, nuk ka”.

Ja pse Amerika është aktive kohët e fundit. Një herë dërgon “negociatorin për çështjet e energjisë” Hochstein për të bindur Athinën të mos lidhet me Moskën, herën tjetër Sekretari amerikan i Mbrojtjes në mënyrë demonstrative nuk pranon të vetmin nga ministrat e Mbrojtjes së NATO-s grekun Kammenos, herë nxisin Shqipërinë, herë fluturon sa andej-këndej Viktoria Nuland. Vijnë vërdallë. Nxitojnë njerëzit.

Nuk është gjë thjesht pse amerikanët nxitojnë t’i fryjnë vazhdimisht projektit shqiptar shpresëdhënës për ta. Përpara janë zgjedhjet në SHBA. Demokratëve u duhet japin njëfarëlloj llogarie për dështimet e vazhdueshme të administratës së Obamës në politikën e jashtme. Në Ukrainë nuk varen më shpresa. Sipas shumë ekspertëve, SHBA-ja kthehen në Ballkan, në këtë – po të përdoren fjalët e Çurçillit – “pjesën e butë poshtë barkut të Evropës”, për të demonstruar se Amerika gjithsesi është ende shtet i fuqishëm. Për më tepër, nëse do t’ia arrijë të bllokojë “Rrymën turke” dhe “Rrugën e Mëndafshit”, për të detyruar Greqinë të kthehet në BE dhe të largojnë  të gjitha vendet e tjera nga Rusia. Dhe nëse tani, mos e dhëntë Zoti, do të ndodhë konflikt ushtarak në Maqedoni – SHBA-ja do të mbetet atje zyrtarisht. Por ky është skenari më i pakëndshëm.

Rruga tjetër e zhvillimit të ngjarjeve është ajo, nëpër të cilën, na e do mendja, ku po ec tani Ballkani. Në negociatat e vështira për gjetjen e kompromiseve do të futet dhe “Rryma turke” dhe “Rruga e Mëndafshit”. Rusia mund të largohet disi nga Serbia. Evropa aktivizohet gradualisht dhe me fuqinë e butë do të mbyllë problemet më të ndërlikuara në rajon. Ka gjasa, përfundimisht të rikthejë në gjirin e vet Greqinë – kjo gjë do të zvogëlonte argumentimin amerikan të pranisë së tepruar në rajon. Atëherë aktivizmi i amerikanëve praktikisht do të zhdukej, dhe bashkë me ta edhe ai i shqiptarëve. Por, ndoshta, askush nuk do t’ia arrijë të fikë zjarrin që ruhet në zemrën e shqiptarëve. Dhe me këtë gjë do t’u duhet të gjithëve të jetojnë.

 

 

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/