“Tërësisht gjepura!” kështu i cilësoi presidenti rus Vladimir Putin pretendimet e homologut të tij amerikan, Joe Biden, se Rusia do të sulmonte një vend të NATO-s nëse do të fitonte luftën në Ukrainë.
Shefi i Kremlinit theksoi se Moska nuk kishte asnjë interes gjeopolitik, ekonomik, politik apo ushtarak t’i kundërvihej aleancës. Në një thirrje për republikanët, që të mos e bllokojnë ndihëm ushtarake për Kievin, më herët gjatë muajit, Biden paralajmëroi se nëse Putin do të triumfonte në Ukrainë, ai mund të mos ndalej dhe mund të sulmonte një shtet të NATO-s.
“Kjo është plotësisht absurde dhe mendoj se president Biden e kupton”, tha Putin në një intervistë për televizionin Rossyia i publikuar të dielën.
Sipas tij, Biden po përpiqej të justifikonte politikat e tij të gabuara ndaj Rusisë. Lufta në Ukrainë ka shkaktuar një prej krizave më të thella në marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin që prej krizës raketore kubane, në 1962-shin, me Biden që ka paralajmëruar se një konfrontim direkt mes NATO-s dhe Rusisë do të çonte në Luftën e 3 Botërore. Dështimi i kundërofensivës ukrainase këtë vit ngriti pikëpyetje në Perëndim dhe brenda Ukrainës se sa realiste janë qëllimet për të mundur forcat ruse.