Kremlini ka reaguar lidhur me Samitin e NATO-s që është mbajtur 2 ditët e fundit në Lituani.
“Një samit i NATO-s i mbajtur në Lituani tregoi se aleanca perëndimore po i kthehet “logjikës së Luftës së Ftohtë”,“-kështu njoftoi Ministria e Jashtme e Rusisë, duke paralajmëruar se Kremlini është gati t’u përgjigjet kërcënimeve duke përdorur të gjitha mjetet e nevojshme.
“Rezultatet e Samitit të Vilniusit do të analizohen me kujdes. Duke marrë parasysh sfidat dhe kërcënimet ndaj sigurisë dhe interesave të Rusisë, ne do të përgjigjemi në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur, duke përdorur të gjitha mjetet dhe metodat që kemi në dispozicion. Përveç vendimeve të marra tashmë, ne do të vazhdojmë të forcojmë organizimin ushtarak dhe sistemin e mbrojtjes së vendit,”-thuhet ndër të tjera.
Në 2 ditët e fundit, në Lituani u zhvilluan dhjetra takime mes liderëve botërorë. Udhëheqësit e 31 vendeve anëtare të NATO-s thanë se do ta ftojnë Ukrainën të anëtarësohet në këtë organizatë “kur të bien dakord” dhe “kur të plotësohen kushtet”. I pranishëm ishte dhe presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelenskyy dhe bashkëshortja e tij, Olena.