DURRËS, 7 dhjetor 2013 – Afrimi Shqipëri-Azerbajxhan në fushën e energjetikës tërheq vëmendjen e medieve azere dhe ruse, sidomos pas ftesës që Gjiknuri i bëri Bakusë për gazifikimin e Shqipërisë.

Forumi Kaspik

Sikurse njofton zëdhënësi i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, kreu i saj Damian Gjiknuri mori pjesë në punimet e forumit të Kaspikut që zhvilloi punimet në datat 4 dhe 5 dhjetor në Stamboll të Turqisë. Ministri ishte pjesë e panelit me temë “Korridori i Gazit Jugor, nyja më e rëndësishme e sigurisë energjetike të rajonit”, organizuar nga Instituti turk Strategjik Kaspik (HASEN), ndërsa iu drejtua të pranishmëve me një fjalim të rastit. Sipas këtij burimi, Gjiknuri nënvizoi rëndësinë që ka projekti i gazsjellësit TAP për Shqipërinë, rajonin dhe më tej për Evropës në tërësi. Në vlerësimin e Ministrit, Shqipëria ashtu sikurse edhe vende të tjera të rajonit kanë nevojë të krijojnë infrastrukturën e gazifikimit dhe jo thjesht të mbeten vende transit të këtij projekti. Ministri garantoi se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka që ky projekt të zbatohet në kohë por njëkohësisht po lobon aktivisht me shumë partnerë strategjikë siç mund të jenë SOCAR-i [State Oil Company of Azerbaijan – Kompania Shtetërore e Naftës e Azerbajxhanit] apo kompani turke për t’u përfshirë në zhvillimin e rrjetit të gazit në vend, por edhe më gjerë duke përfshirë dhe Kosovën e Malin e Zi si dy vende të tjera të pagazifikuara. Gjatë punimeve të forumit, Gjiknuri zhvilloi takime të veçanta edhe me drejtuesit e kompanisë SOCAR duke i kushtuar vëmendje thellimit të bashkëpunimit në drejtim të hartimit të master-planit për tregun e gazit në Shqipëri. Me drejtuesit e SOCAR-it u ra dakord që të formohet një grup i përbashkët pune për të avancuar në këtë drejtim duke sjellë ekspertët në terren për të vlerësuar të dhënat. Ministri Gjiknuri u takua në këtë forum edhe me drejtues të shoqërisë BP [British Petroleum] dhe disa shoqëri turke në fushën e gazit ndërsa pati një bashkëbisedim edhe me Ministrin turk të Energjisë [dhe Burimeve Natyrore Taner Jëlldëz (Yıldız) – vartësit e Gjiknurit nuk dinë emrin e homologut turk të ministrit të tyre dhe pse zhvillojnë bisedime, pa le të dinë drejtshkrimin e shqipes! – “Dyrrah”].

Jehona në Baku dhe Moskë

Nëse mediet e Tiranës nuk ia "varën" pjesëmarrjes së Shqipërisë në Forumin Kaspik, ndryshe ndodhi me mediet azerbajxhanase dhe ruse (shih faksimilet e disa nga njoftimeve). Moska e pasqyroi deklaratën, duke filluar nga agjencia “RIA Novosti”, gazeta, deri te portalet e specializuara si “Neft Rossii” (Nafta e Rusisë), “Neftegaz.Ru” etj. Po ashtu edhe mediet e Bakusë. Të gjitha kanë pothuajse të njëjtin titull “Shqipëria fton Azerbajxhanin për gazifikimin e vendit”.  Shqipëria ka ftuar kompaninë shtetërore të naftës të Azerbajxhanit SOCAR (State Oil Company of Azerbaijan) për të gazifikuar këtë vend, citohet të ketë thënë ministri shqiptar i Ekonomisë dhe Energjisë Damian Gjiknuri në diskutimet e panelit në Forumin e tretë Kaspik në Stamboll të enjten më 5 dhjetor 2013, njofton agjencia telegrafike azerbajxhanase “Trend.Az”, që i referohen të gjitha mediet ruse. “Shqipëria dhe i gjithë rajoni i Evropës Jug-Lindore kanë një treg premtues dhe të pashfrytëzuar gazi”, tha Gjiknuri. – Shqipëria po diskuton aktivisht me Malin e Zi dhe Kroacinë për mundësinë e shtrirjes së gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) edhe në territoret e tyre”.  Më 7 dhjetor 2013, po “Trend.Az”-i, njoftoi se SOCAR-i po shqyrton mundësinë e krijimit të infrastrukturës së gazit në Shqipëri.

Gjeostrategjia

Rusët janë të shqetësuar se “TAP-i do të ndryshojë rregullat e lojës në sigurinë energjetike të Evropës” (kështu e titullonte më 2 dhjetor 2013 intervistën e drejtorit të TAP-it Kjetil Tungland portali rus “Neft Rossii”). Nga ana tjetër, hyrja e Ukrainës dhe Armenisë në bashkimin doganor me Rusinë, duke ia “dredhur” BE-së, po i jep një vend më të privilegjuar Shqipërisë në lojën e madhe ekonomike dhe energjetike në Evropë dhe Azi. Kjo duket dhe në “intrigën” e Brukselit, i cili nxiti shefin e diplomacisë së Tiranës Ditmir Bushati t’i bënte  thirrje Armenisë, më 25 tetor 2013, të tërhiqte trupat nga territori azerbajxhanas i Nagorni-Karabakut (shih “Dyrrah”-un:http://www.durreslajm.com/politike/shqiperia-armenia-te-terheqe-ushtrine-nga-tokat-e-pushtuara-azere). Kjo deklaratë e Tiranës u shpërfill, mbase dhe nga padituria, nga mediet shqiptare. Këto të fundit merren me pranimin e Shqipërisë në BE, me ndonjë trafik armësh të MEICO-s në Armeni, por nuk u kushtojnë rëndësi zhvillimeve ndërkombëtare, ku e merr vorbulla edhe Shqipërinë. Parë në këtë kontekst, diversioni Bruksel-Tiranë ndaj Erevanit, ka ndikuar që Bakuja ta marrë seriozisht edhe Shqipërinë. Një lloj shpërblimi për qëndrimin pro-azer përballë Armenisë. Jo vetëm kaq: mund të ketë ndikuar dhe në një OK kandidimit në BE, ky shpërblimi i Brukselit.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/