Një seri përparimesh të shpejta ruse kanë sfiduar linjën e re të mbrojtjes së Ukrainës të krijuar pas tërheqjes së tyre nga qyteti kyç i Avdiivka dhe po ngrenë frikën për taktikat dhe vrullin e Kievit në vijat e frontit. 

Ukraina njoftoi një tërheqje nga Avdiivka më 17 shkurt në një seri pozicionesh në perëndim të qytetit. Megjithatë, tre fshatra të vegjël kanë rënë që atëherë në duart e forcave ruse, me Kievin që këmbëngul se ata kurrë nuk synonin t’i mbronin ato. Përparimet ruse vijnë përballë një krize të thellë në municione për ushtrinë ukrainase, duke krijuar një debat thuajse ekzistencial për trupat e vijës së parë, të cilët duhet të racionojnë municionet dhe po pyesin se sa kohë mund t’i rezistojnë presionit rus

Në një shenjë tjetër të ndjenjës në rritje të shqetësimit, komandanti i ri i ushtrisë ukrainase, kolonel gjeneral Oleksandr Syrskyi, kritikoi dy herë në javën e kaluar oficerët e tij vartës për performancën e dobët në këtë vijë kyçe të frontit. Të enjten, Syrskyi kritikoi disa mangësi dhe llogaritje të gabuara nga komandantët në linjat e frontit të Avdiivka të cilat ndikuan drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e mbrojtjes në zona të caktuara. Të shtunën, ai iu rikthye temës së personelit joadekuat, duke sugjeruar se kishte zëvendësuar disa oficerë që nuk ishin në dijeni të situatës dhe vënë në rrezik drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e vartësve të tyre.

Sulmi rus i linjës së re mbrojtëse të Ukrainës rreth Avdiivka është i rëndësishëm jo për shkak të vlerës së vetë fshatrave të vegjël por sepse ata sugjerojnë se zyrtarët ukrainas nuk kishin planifikuar në mënyrë adekuate tërheqjen e Avdiivka-s dhe që atëherë janë bërë të paaftë për të frenuar përparimin e Rusisë. Ushtarët e intervistuar në të gjithë vijën e frontit lindor shprehën gjithashtu pesimizëm të madh për pranverën e ardhshme nëse ndihma perëndimore nuk do të jepej urgjentisht. Kombinimi i rënies së moralit dhe furnizimeve ukrainase dhe forcave të Moskës që duket se po fitojnë vrull shënon një moment kyç në konflikt.