Natën mes së martës dhe së mërkurës, Moska kreu një sulm me dron në qytetin-port të Mikolaivit, disa orë pasi Uashingtoni njoftoi arritjen e marrëveshjes për sigurinë e lundrimit në detin e Zi.
Kryebashkiaku i Mikolaivit deklaroi të mërkurën se qyteti po përjetonte emergjencë në furnizimin me energji elektrike si pasojë e sulmeve.
Ndërkohë, pre e akteve armiqësore ruse kanë rënë edhe qytete të tjera ukrainase si Çerkazi, Sami dhe Kriovohradi.
Duke reaguar, presidenti Zelensky ka deklaruar se, sulmi në shkallë të gjerë pas negociatave për armëpushim është një sinjal i qartë përpara gjithë botës se Moska nuk ka ndërmend të ndjekë rrugën e paqes.
“Çdo natë, përmes sulmeve të saj, Rusia vazhdon t’i thotë jo propozimit për paqe të bërë nga partnerët tanë”, ka thënë Zelensky.
Nga ana e saj, Moska ka bërë të qartë se përmbushja e marrëveshjes për lundrimin në detin e Zi do të varet nga një sërë kushtesh.
Konkretisht, Kremlini ka nënvizuar se pakti do të hyjë në fuqi pasi të jenë hequr sanksionet mbi bankat ruse të përfshira në tregtinë ndërkombëtare të produkteve ushqimore dhe nëse Rusia pranohet sërish në “Swift”, një rrjet që lehtëson komunikimin e sigurt mes bankave.
Të martën, në një reagim, presidenti amerikan Donald Trump tha se Rusia mund të përpiqet ta vonojë fundin e luftës.
“Mendoj se Rusia e dëshiron fundin e luftës, por mund të jetë që ata ta zvarrisin atë. Ashtu kam bërë dhe unë për vite me radhë”, ka thënë Trump