Sulmet me dronë rusë të kryera herët në mëngjes në portet ukrainase në Danub shkatërruan pothuajse 40,000 tonë drithë të destinuar për vendet afrikane, si dhe Kinën dhe Izraelin, tha zëvendëskryeministri ukrainas Oleksandr Kubrakov.
“Rusët sulmuan magazinat dhe kapanonet e drithit, u shkatërruan pothuajse 40 mijë ton drithë, të cilin vendet e Afrikës, Kinës dhe Izraelit e prisnin”, tha Kubrakov në një postim në platformën e rrjetit social X, dikur Twitter.
Portet e drithit të Ukrainës u sulmuan nga Rusia herët të mërkurën, duke çuar në rritje çmimet botërore të ushqimeve.
Ministria e mbrojtjes e Ukrainës tha se një magazinë gruri u dëmtua në portin e Danubit të Izmail në rajonin e Odesës.
“Gruri ukrainas ka potencialin për të ushqyer miliona njerëz në mbarë botën”,shkroi ministria në platformën e saj në Twitter.
“Për fat të keq, ka dëme”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Telegram. “Më të rëndësishmet janë në jug të vendit. Terroristët rusë kanë sulmuar edhe një herë portet, drithërat, sigurinë globale të ushqimit.”
Një burim i industrisë konfirmoi gjithashtu se porti i Ismailit ishte objektivi kryesor i sulmit, duke e vlerësuar nivelin e dëmit si “të rëndë”.
Zyra e prokurorit të Ukrainës publikoi fotografi që tregojnë një hetues të krimeve të luftës jashtë një ndërtese të rrënuar dhe të paktën dy depo drithërash të dëmtuara.
Kujtohet se Ministria e Jashtme e Ukrainës njoftoi se sulmet ajrore ruse shkatërruan rreth 180,000 tonë metrikë grurë në nëntë ditë muajin e kaluar.
Rusia ka kryer disa herë sulme ajrore në infrastrukturën portuale të Ukrainës që nga tërheqja nga marrëveshja e drithit në Detin e Zi, e cila i kishte lejuar Ukrainës të eksportonte në mënyrë të sigurt grurin.
Kremlini përsëriti qëndrimin e tij për marrëveshjen e drithit të Detit të Zi, duke thënë se Moska është e gatshme t’i kthehet marrëveshjes që lejon eksportin e grurit ukrainas nga deti vetëm nëse zbatohet pjesa e saj.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gjithashtu gazetarëve se presidenti Vladimir Putin pati një telefonatë me presidentin turk Tajip Erdogan këtë mëngjes.
Temë kryesore ishte marrëveshja e grurit në Detin e Zi dhe vendimi i Moskës për t’u tërhequr prej saj, ndërsa Erdogan i kërkoi Putinit të shmangte “përshkallëzimin” në fushën e betejës.
Sipas asaj që doli nga Ankaraja, Erdogan nënvizoi se nuk do të ishte në interesin e askujt anulimi i nismës së Detit të Zi, të cilën ai e konsideron një “urë paqeje” dhe shtoi se Turqia do të vazhdojë të bëjë përpjekje të forta dhe diplomaci për vazhdimin e kësaj marrëveshjeje.
Në këtë kontekst, ai vuri në dukje se çmimet e drithërave, të cilat ranë me 23% gjatë periudhës së zbatimit të nismës, u rritën me 15% në dy javët e fundit.
Në të njëjtën kohë, Erdogan i bëri thirrje homologut të tij rus “të shmangë çdo veprim që mund të shkaktojë një përshkallëzim të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës”.
Nga ana e tij, Putin i tha Erdoganit, sipas konferencës së Kremlinit, se në mungesë të përparimit në zbatimin e kërkesave ruse, zgjatja e marrëveshjes së grurit ka humbur kuptimin e saj.