– Moska: Vendimi u mor si rezultat i bashkëpunimit me Tiranën, kjo e fundit spiunoi firmën, që shtypte certifikata fitosanitare të falsifikuara në Çeki.

– Zyrtarët e z. Edmond Panariti (LSI) paraqitën 21 certifikata fitosanitare, teksa 20 prej tyre dolën të rreme

– A do të ndalojë Shqipëria importin e grurit rus në përputhje me angazhimin zyrtar në Bruksel për sanksioneve ndaj Kremilinit? 

 

DURRËS, 3 dhjetor 2014 –  Shërbimi federal rus i mbikëqyrjes veterinare dhe fitosanitare mori vendim për ndalimin e importeve bujqësore nga Shqipëria, duke filluar nga 8 dhjetori 2014, i tha agjencisë telegrafike zyrtare TASS, më 3 dhjetor 2014, kreu i këtij enti shtetëror Sergej Dankvert.

Të gjitha mediet e Federatës Ruse kanë dhënë lajmin se “ariu” ngriti “purat” kundër vendit ballkanik, duke i vendosur kufizime të përkohshme për eksportet e “gjelbra” në vendin euroaziatik 

Ndërkohë kjo “mandatë” për fermerët dhe grosistët shqiptarë përkoi të nesërmen e botimit të një interviste të ambasadorit të ri rus në Tiranë, SHT z. Aleksandër Karpushin në një të përditshme afër opozitës dhe LSI-së, që deri tani ka në Moskë një ambasador i emëruar nga z. Ilir Meta në kohën kur ishte ministër i jashtëm i z. Sali Berisha (është bërë zhurmë për deklarimin e ambasadorit z. Sokol Gjoka se shërbimet sekrete ruse dhe shqiptare kanë shkëmbyer informacione, ndonëse Shqipëria është anëtar i NATO-s).

BASHKËPUNIMI

Sipas kreut të Rosselkhoznadzor-it, Sergej Dankvert: 

“Vendimi për ndalimin e furnizimeve u mor si rezultat i bashkëpunimit me palën shqiptare, bashkëpunim, në saj të të cilit u zbulua firma, që shtypte certifikata shqiptare fitosanitare të falsifikuara në një shtypshkronjë në Çeki”.

Kurse Julia Trofimova, zyrtare, po e  Rosselkhoznadzor-it, e cituar nga agjencia telegrafike “RIA Novosti”, deklaroi: 

“Fitosanitarët shqiptarë [në varësi të ministrit të LSI-së të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti – “Dyrrah”] paraqitën në Rosselhoznadzor 21 certifikata fitosanitare, ku 20 prej tyre rezultuan të falsifikuara.

Duke marrë në konsideratë këtë fakt, arritëm në konkluzionin se Shqipëria shërben si mbulim për furnizime prodhimesh nga BE-ja, ndaj të cilave janë vënë sanksione në Rusi”.

Info

Nga ana tjetër, nuk dihet nëse qeveria shqiptare do të reagojë ndaj këtij akti të Moskës, për më tepër që ajo u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.

Sikurse është bërë e njohur, Shqipëria u është bashkuar sanksioneve të BE-së, SHBA-së, Kanadasë etj. ndaj Federatës Ruse pas aneksimit të Krimesë dhe ngjarjeve në kufirin me Ukrainën.

Nga ana tjetër, Moska ka vënë sanksionet e saj ndaj këtyre vendeve, përfshirë dhe Shqipërinë, për sa u përket importeve ushqimore prej tyre dhe i intereson të eksportojë drithëra.

Sipas INSTAT-it, Shqipëria importoi nga Rusia 5 miliardë 657 milionë mallra (rreth 41 milionë euro), kryesisht grurë, në 6-mujorin 2014, por janë tejet të papërfillshme eksportet shqiptare në Rusi për të njëjtën periudhë – vetëm 9 milionë lekë (65-66 mijë euro); “golaverazhi” tregtar është Shqipëria 1: Rusia 628.5!

Autoritetet e Tiranës zyrtare nuk po hetojnë për shkeljen e embargos.

Ndërkohë Shqipëria, sipas vetë të dhënave të autoriteteve ruse është një nga klientët më të mëdhenj të drithërave nga stepat e vendit të largët, që transportohen me anije nëpërmjet detit Azov dhe Detit të Zi.

Vetëm në fund të muajit gusht 2014 drejt portit të Durrësit u nis një “konvoj” me 4 anije: “Nikolai Klinov” me 5 175 tonë; “Volga 4052” me 5 066 tonë, “Neptune” me 3 120 tonë dhe “Suna” me 3 280 tonë; gjithsej 16 641 tonë grurë rus, me gjithë embargon e BE-së, SHBA-së, Shqipërisë. 

Sipas statistikave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, si 8-mujor 2014, janë shkarkuar 140 602 tonë grurë, pjesa më e madhe nga Rusia.

Po përmendim se në muajin qershor 2014 janë importuar 19 731 tonë grurë, në korrik 23 344 tonë, në gusht 39 154 tonë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/