Rusia ka lëshuar të paktën 60 raketa balistike të furnizuara nga Koreja e Veriut kundër Ukrainës gjatë luftës, ka deklaruar zëdhënësi i ushtrisë së Kievit, Andrii Chernyak, duke shtuar se këto raketa përbëjnë një rrezik serioz për Ukrainën. “Saktësia e tyre, në parim, nuk është shumë e lartë. Ne e kuptojmë se teknologjitë me të cilat janë prodhuar janë të vjetruara,” tha ai.

Në mars, kreu i Prokurorisë Rajonale të Kharkiv, Oleksandr Filchakov, informoi se Rusia kishte lëshuar rreth 50 raketa të prodhuara nga Koreja e Veriut në Ukrainë . Sipas tij, ka një rast të regjistruar zyrtarisht të përdorimit të një rakete Hwasong 11 (KN-23/24) në rajonin e Kharkiv.

Në tetor, Bloomberg, duke cituar inteligjencën e Koresë së Jugut, raportoi se që nga gushti 2023, Koreja e Veriut ka transferuar në Rusi rreth tetë milionë predha 122 mm dhe 152 mm, rreth 100 raketa Hwasong-11, si dhe antitank Bulsae-4. Sipas burimit të botimit, kjo tejkalon ndjeshëm vlerësimet e zyrtarëve evropianë të bëra më herët.

KN-23 është përcaktimi i një rakete balistike taktike të prodhuar nga DPRK. Kështu quhej raketa në Perëndim, sipas materialeve të inteligjencës. Emri zyrtar i raketës është Hwasong-11Ga. KN-23 është një kopje koreano-veriore e Iskanderit rus. Koreja e Veriut ka zgjeruar lidhjet me Rusinë në të gjitha fushat që nga fillimi i pushtimit rus.

Kim Jong Un u zotua të zgjerojë lidhjet me Rusinë në fusha të ndryshme duke përfshirë çështjet ushtarake nën partneritetin strategjik gjithëpërfshirës që ai nënshkroi me Vladimir Putinin në qershor.

Ndërkohë që në tetor, dolën raporte se trupat e Koresë së Veriut ishin vendosur në terren afër kufirit me Ukrainën për të ndihmuar Rusinë, një lëvizje që u pa si një përshkallëzim luftës Rusi-Ukrainë.