Rusi, 1 mars 2014– Parlamenti rus ka miratuar kërkesën e presidentit Vladimir Putin për dërgimin e trupave ushtarake në Ukrainë. Putini iu drejtuar parlamentit me kërkesën për t’i hapur rrugë dërgimit të trupave dhe ndërhyrjes ushtarake atje. Mediat e huaja, që transmetojnë lajmin thonë se me këtë kërkesë rritet edhe më shumë tensioni në zonën e Krimesë.
Ndërkohe ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Ihor Tenyukh ka akuzuar Rusinë se ka dërguar 6 mijë ushtarë dhe 30 makina të blinduara në rajonin e Krimes në Ukrainë, prej ditës së premte, “pa paralajmërim dhe pa lejen e Ukrainës, në kundërshtim me parimin e mosshkeljes së kufijve shtetëror”.
Këto komente ai i ka bërë sot në mbledhjen e qeverisë së Ukrainës, në kryeqytetin Kiev, derisa po shtohen tensionet ndërmjet banorëve pro-rusë të rajonit Krime dhe qeverisë së re pro-evropiane të Ukrainës.
Presidenti i përkohëshëmi Ukrainës, Oleksandr Turchynov, kërkoi ndaljen e provokimeve nga ana e Rusisë, të cilat sipas tij kanë si objektiv tërheqjen e Ukrainës në një konflikt të armatosur për të legjitimuar aneksimin e Krimesë. Të premten presidenti amerikan Barak Obama, paralajmëroi Moskën se një ndërhyrje e mundshme ushtarake në Ukrainë do të ketë kosto të madhe për të.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





