Furnizimi i Europës me gaz nga Rusia mund të ndërpritet për shkak të problemeve në riparimet e turbinave.
Kanë qenë vetë autoritetet ruse ato që kanë paralajmëruar se flukset e gazit në Evropë përmes gazsjellësit “Nord Stream1” mund të pezullohen për shkak të problemit në fjalë, sepse sanksionet nga Perëndimi kanë shkaktuar mungesë të komponentëve për të bërë të mundur rregullimin.
Sipas ambasadorit rus në BE, Vladimir Chizhov, ndalimi i plotë i flukseve në tubacionin, i cili furnizon Evropën me gaz nën Detin Baltik, do të ishte një “katastrofë” për Gjermaninë.
Tashmë këtë javë fluksi drejt Gjermanisë është ndërprerë dy herë, sipas Berlinit, me synimin për të provokuar një rritje çmimi.
Në orët e para të pasdites Gazprom informoi kompaninë lider të energjisë në Itali, Eni-n se vetëm 65% e furnizimeve të kërkuara do të dorëzohen. Sipas një zëdhënësi të gjigandit rus, shkurtimet varen nga problemet në uzinën e Portovayas që ushqen gazsjellësin “Nord Stream”, përmes të cilit kalojnë një pjesë e vëllimeve të destinuara për Enin.
Të mërkurën, kompania italiane u njoftua për një rënie të dërgesave me 15%, ndërsa të njëjtin fat do ta ketë edhe Austria.
Edhe kompania austriake e energjisë Omv ka shënuar rënie të furnizimeve nga Gazprom. Pa treguar masën e shkurtimit, kompania ka siguruar se furnizimi me gaz për klientët e saj mbetet “për momentin i garantuar”.





