Rusia ka rifilluar sulmet e saj në Ukrainë, duke vrarë të paktën tre persona në rajonin jugor të Khersonit, pas një armëpushimi 30-orësh të Pashkëve, për të cilin Kievi tha se forcat e armatosura të Moskës e shkelën në mënyrë të përsëritur.

Në një deklaratë ditën e sotme, ushtria ruse tha se po vazhdonte operacionin special ushtarak. Armëpushimi skadoi në mesnatën e së hënës. Njoftimi do të thotë se Kremlini ka refuzuar një ofertë të bërë nga Volodymyr Zelenskyy dhe të miratuar të dielën SHBA, për të zgjatur armëpushimin me 30 ditë.

Zelenskyy tha se Ukraina ishte gati për një “armëpushim të plotë dhe të ndershëm”. Ai sugjeroi që të dyja palët të përmbahen nga kryerja e sulmeve me raketa dhe dronë kundër infrastrukturës civile.

Putin tha se Moska do të shqyrtojë propozimin ukrainas për armëpushim, por akuzoi Kievin për përdorimin e vendeve civile për qëllime ushtarake.