Zyrtarët ukrainas njoftuan se sulme masive raketore ruse u nisën në orët e para të mëngjesit në rajonet e Kharkiv dhe Odesa, përkatësisht në Ukrainën lindore dhe jugore, si dhe në qytete në pjesën perëndimore të saj.

Prej muajsh, Rusia ka bombarduar objektet kryesore të Ukrainës me raketa dhe UAV , duke shkaktuar probleme në jetën e përditshme të miliona ukrainasve, veçanërisht në furnizimin e tyre me energji elektrike, ngrohje dhe ujë.

Sipas agjencisë amerikane Associated Press, sirenat e sulmit ajror kanë rënë që në orët e para të mëngjesit në shumë pjesë të vendit, përfshirë kryeqytetin, ku banorët u zgjuan nga zhurmat e shpërthimeve. 

Nuk është ende e qartë nëse ndonjë raketë ka goditur objektivat në Kiev apo nëse tingujt kanë ardhur nga raketat që janë rrëzuar nga sistemet mbrojtëse të aktivizuara në rajon.

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitaly Klitschko tha se kishte raporte për shpërthime në lagjen Holoshivsky të qytetit dhe se shërbimet e urgjencës po dërgoheshin me urgjencë atje. Ai raportoi gjithashtu dy të plagosur.

“Armiku kreu rreth pesëmbëdhjetë sulme në qytetin dhe rrethin e Kharkiv”, tha zyrtari rajonal  Oleg Sinekhubov  në mediat sociale. Forcat ruse “po synojnë edhe një herë objektet thelbësore”,  vazhdoi ai.

“Sipas informacioneve të para, një shtëpi private u godit në rajonin e Kharkiv ,” shtoi ai, duke premtuar se sqarime “të qarta” për viktimat dhe shkallën e dëmit do të jepen më vonë.

Rusia rinis sulmet në të gjithë Ukrainën, 15 shpërthime