DURRËS, 8 maj 2014 –  Refuzimi i disa shqiptarëve (mes tyre dhe durrsakë) për të shkuar si turistë në Moskë për shkak të ndonjë lufte të mundshme, ka tërhequr vëmendjen e Rusisë dhe medieve amerikane.

E përditshmja më e madhe amerikane The Wall Street Journal, më 5 maj 2014, i referohej RST-së (Bashkimi Rus i Industrisë së Turizmit) se “para pak kohësh një grup turistësh shqiptarë ranë dakord të konfirmonin mbërritjen në Moskë vetëm nëse do të merrnin siguracion të plotë në rast se shpërthente ndonjë luftë”.

Ky është paragrafi i fundit i një korrespodence nga Moska me titullin “Industria turistike e Rusisë u godit seriozisht nga tensionet ukrainase / Disa agjenci turistike raportuan rritje së anulimeve deri në masën 25 për qind” (shih faksimilen).

Ndërkohë, më 7 maj 2014, Kryeministri Edi Rama i bëri një shtesë vendimit të paraardhësit të tij Sali Berisha të 13 qershorit 2013, duke konfirmuar se lejohet të hyjnë në territorin shqiptar shtetas nga “Rusia, Moldavia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Omani, Kuvajti, me dokumentin pasaportë, për periudhën 25 maj deri në 30 shtator 2014.”.

Nga ana tjetër, Tirana zyrtare u është bashkëngjitur sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndalimin e hyrjes në territorin e saj të një liste zyrtarësh të Federatës Ruse.

Vendimi i 7 majit 2014 i qeverisë Rama nuk përfshin ndonjë klauzolë që pasqyron bashkëngjitjen në sanksionet ekonomike ndaj Moskës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/