Rusia nuk i ndal sulmet ndaj Ukrainës, pavarësisht deklaratave të përsëritura se dëshiron marrëveshje paqeje me Kievin.

Bombardimet me dronë dhe raketa kanë vijuar edhe përgjatë natës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm, teksa nuk është kursyer as zona ku ndodhet centrali bërthamor i Zaporizhia.

Të paktën dy persona kanë humbur jetën në Kiev dhe 13 të tjerë janë plagosur në Zaporizhia, si pasojë e sulmeve ajrore ruse të kryera mbrëmjen e kaluar.

Lajmi u bë i ditur nga autoritetet lokale ukrainase.

Sipas raportimeve, shpërthime janë dëgjuar gjithashtu në Dniepër dhe në qytetin portual të Izmail, duke shtuar shqetësimet për intensifikimin e sulmeve në rajone të ndryshme të vendit.