I gjithë qyteti perëndimor i Ukrainës, Lviv, është aktualisht pa energji elektrike. Shkak për këtë është bërë një sulm me raketa nga forcat ruse, përfshirë edhe kryeqytetin e Kievit.

Vendi fqinj Moldavia raportoi gjithashtu ndërprerje “masive” të energjisë elektrike, megjithëse nuk është goditur drejtpërdrejt.

Kryetari i bashkisë së Lviv u bëri thirrje njerëzve të strehohen, ndërsa kreu i rajonit të Kievit tha se infrastruktura kritike dhe shtëpitë ishin sulmuar.

Gjithashtu më shumë se gjysma e Moldavisë është pa energji elektrike, shkroi në Tëitter zëvendëskryeministri Andrei Spinu.

“Errësirë ​​masive në Moldavi pas sulmit të sotëm rus në infrastrukturën energjetike të Ukrainës”, tha ai.

Më herët, një alarm për sulm ajror u lëshua në të gjithë Ukrainën, i ndjekur nga raporte për shpërthime në një numër vendesh.

Kryetari i bashkisë së Lviv, Andriy Sadovy, tha se fëmijët ishin dërguar në strehimore me mësuesit e tyre – dhe u bëri thirrje prindërve që të mos i merrnin derisa të mbaronte alarmi.

Pak para raporteve të reja nga Kievi dhe Lviv, zyrtarët thanë se Ukraina jugore ishte gjithashtu nën një sulm të ri.

Guvernatori i rajonit të Mykolaiv paralajmëroi për “shumë raketa” që po godisnin qytetin nga jugu dhe lindja.

Në rajonin e afërt të Zaporizhzhia, një foshnjë e porsalindur u vra teksa një raketë goditi një njësi materniteti , thanë shërbimet e urgjencës.

Rusia u fajësua për sulmet, por ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Moska.

Ndërprerjet e planifikuara dhe të paplanifikuara janë bërë të zakonshme në shumë pjesë të Ukrainës si rezultat i sulmeve të fundit ajrore.