Dhjetëra persona janë plagosur pas një sulmi rus në rajonin jugor ukrainas të Khersonit më 8 tetor. Guvernatori rajonal tha se në mesin e të plagosurve është një grua 27-vjeçare dhe foshnja e saj nëntëmuajshe.

“Rajoni i Khersonit përjetoi edhe një natë të tmerrshme”, shkroi në Telegram guvernatori Oleksandr Prokudin.

Ndërkaq, hetuesit lokalë dhe të Kombeve të Bashkuara po kryejnë hetime për sulmin me raketa të kryer nga Rusia në fshatin Hroza të Kharkivit, ku u vranë mbi 50 persona.

Hetuesit kanë dhënë një vlerësim preliminar në të cilin thuhet se pothuajse të gjithë të vrarët ishin civilë, është thënë në një deklaratë të OKB-së dërguar Associated Press.

“Sipas bisedave me banorët lokalë dhe me të mbijetuarit, pothuajse të gjithë të vrarët ishin civilë dhe se vetë caku, një fshat i populluar ku ka kafene dhe dyqane, po ashtu ishte cak civil”, tha Danielle Bell, që udhëhoqi ekipin që vizitoi Hrozën në tetor.

Moska mohon se gjatë pushtimit të Ukrainës shënjestron caqet civile. Këtë qëndrim Rusia e përsëriti edhe më 6 tetor, në përgjigje për sulmin në Hroza.