Rusia ka nisur një sulm kundër Ukrainës duke përdorur afro 500 dronë dhe 40 raketa gjatë natës, duke synuar infrastrukturën energjetike dhe objekte jo-ushtarake, njoftoi sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Nëse Rusia kthen edhe periudhën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri në kohë për shtëpi të shkatërruara dhe apartamente të djegura, për fabrika energjetike të dëmtuara, atëherë kjo veprimtari e sëmurë mund të marrë përgjigje vetëm me masa vërtet të forta,” shkroi Zelensky në platformën X, duke bërë thirrje që SHBA-të dhe Europa të ushtrojnë presion më të madh ndaj Moskës.
Presidenti ukrainas bëri këto deklarata para nisjes për Shtetet e Bashkuara, ku pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump për të diskutuar një plan që synon të vendosë fundin e luftës Rusi-Ukrainë.
Zelensky theksoi se rusët “nuk duan të vendosin fundin e luftës dhe synojnë të shfrytëzojnë çdo mundësi për të shkaktuar më shumë vuajtje në Ukrainë dhe për të rritur presionin ndaj të tjerëve në botë”, pas sulmit që goditi kryeqytetin ukrainas dhe rrethinat e tij, ku humbi jetën një person.
Ndërkohë, sipas ministrit ukrainas të Jashtëm, Andrii Sybiha, një e treta e qytetit të Kievit ka mbetur pa ngrohje pas sulmit të madh rus gjatë natës.
Po ashtu, sipas të dhënave, ukrainasit në qendrat urbane kanë energji vetëm katër orë në ditë, ndërsa 20 orët e mbetura janë pa furnizim.
“Përgjigjja e vetme e Rusisë ndaj përpjekjeve paqësore janë sulmet mizore duke përdorur mijëra dronë dhe raketa kundër Kievit dhe qyteteve e rajoneve të tjera,” shkroi Sybiha në X.
Sipas mediave të huaja, temperatura sot në kryeqytetin ukrainas luhatet rreth 0 gradë Celsius.





