Sulmet ajrore ruse në Ukrainë gjatë orëve të para të së hënës kanë shkaktuar të paktën dy viktima dhe kanë detyruar evakuime gjatë natës, në kushte temperaturash nën zero, vetëm një ditë përpara një takimi të rëndësishëm diplomatik të aleatëve të Ukrainës në Paris.
Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet kanë shkaktuar zjarr në një strukturë private mjekësore në Kiev, ku humbi jetën një person dhe u plagosën tre të tjerë. Kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, deklaroi se mjekët dhe infermierët u detyruan të evakuonin të plagosurit nën zjarr. Një tjetër viktimë, një burrë rreth të 70-ave, u raportua në qytetin fqinj Fastiv.
Sulmet shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa sistemet rezervë u aktivizuan për të garantuar furnizimin me ujë dhe ngrohje, në një kohë kur temperaturat ranë deri në -8 gradë Celsius. Forcat ajrore ukrainase njoftuan se Rusia lëshoi gjithsej 165 dronë dhe të paktën nëntë raketa gjatë natës.
Të martën, liderët europianë do të mblidhen në Paris në kuadër të të ashtuquajturës “koalicioni i vullnetarëve”, me synimin për të çuar përpara përpjekjet diplomatike për ndalimin e luftimeve. Takimi organizohet nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe do të ndiqet edhe nga përfaqësues amerikanë, përfshirë të dërguarin e Donald Trump, Steve Witkoff, si dhe Jared Kushner. Në fokus do të jenë garancitë e sigurisë si pjesë e një propozimi për paqe.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se plani i paqes është “90% gati” dhe se kjo javë do të shërbejë për koordinim të ngushtë me partnerët evropianë dhe amerikanë. Në fundjavë, këshilltarë të sigurisë nga 15 vende, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, si dhe përfaqësues të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, u mblodhën në Kiev për të përgatitur terrenin diplomatik.
Ndërkohë, autoritetet ruse raportuan se një sulm me dron ukrainas në rajonin Tver shkaktoi një viktimë dhe dy të plagosur. Mbetjet e dronit goditën një apartament në katin e nëntë të një ndërtese banimi, duke shkaktuar zjarr dhe evakuimin e banorëve përreth.
Në zhvillime të tjera, Rusia ndërmori pesë sulme me raketa ndaj qytetit Kharkiv, duke dëmtuar infrastrukturën energjetike, ndërsa në qytetin Dnipro u godit një ndërmarrje në pronësi të kompanisë amerikane bujqësore Bunge. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se ky sulm tregon se forcat ruse po godasin edhe biznese amerikane, duke akuzuar presidentin rus Vladimir Putin për “mospërfillje të plotë” ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për paqe.
Nga Moska nuk pati komente të menjëhershme lidhur me sulmet. Kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov, deklaroi se goditjet synojnë të paralizojnë jetën e përditshme të qytetarëve duke i lënë pa ngrohje, ujë dhe energji elektrike.





