Rusia ka mbrojtur të enjten vendimin për të vendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi, duke hedhur poshtë kritikat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se ishte Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut ajo që po zgjerohej drejt Rusisë dhe se Moska për këtë arsye duhej të merrte hapa për të mbrojtur sigurinë e saj.
Stoltenberg ka thënë dje se lëvizja e Rusisë hedh poshtë një deklaratë të përbashkët ruso-kineze se shtetet nuk duhet të vendosin armë bërthamore jashtë kufijve të tyre.
“Është NATO ajo që po zgjerohet drejt Rusisë, nuk është Rusia ajo që po lëviz infrastrukturën e saj ushtarake drejt kufijve të NATO-s”, ka thënë Peskov në përgjigje të deklaratave të Stoltenbergut.
Finlanda iu bashkua aleancës të martën, duke dyfishuar gjatësinë e kufirit tokësor të NATO-s me Rusinë dhe Suedia pritet të bëhet anëtare. Moska ka njoftuar se do të monitorojë nga afër vendosjen e forcave të NATO-s brenda Finlandës dhe do të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme.





