TIRANE, 05 mars 2013- Pas publikimit të lajmit se Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të lejojë referendumin kundër importit të plehrave, vjen një reagim nga kreu i Komisionit të Ligjeve.
Ilir Rusmalji shprehet se ky vendim është keqinterpretuar, pasi sipas tij Kushtetuesja as nuk lejon dhe as nuk ndalon importin e plehrave. Me këtë vendim ajo ua lë në dorë shqiptarëve, të cilët mund të shprehen me votën e tyre.
“Përfitoj nga ky komunikim për të sqaruar se Gjykata Kushtetuese është rruga nga e cila kalon çdo nismë për referendum. Por Gjykata Kushtetuese as nuk ndalon dhe as nuk lejon importin e plehrave me lejimin e referendumit. Ky vendim konfirmon të drejtën e shqiptarëve që nëpërmjet votës duhet të vendosin, kaq është përmbajtja”, sqaron Rusmajli, duke shtuar se disa media e kanë keqinterpretuar këtë vendim.
Ai shtoi më tej se “Gjykata ka respektuar të drejtën sovrane të shqiptarëve, për të vendosur me anë të referendumit”.