LOS ANGELES — I bërë i famshëm në të gjithë botën për rolin e gladiatorit në filmin me të njëjtin titull aktori australian Russell Crowe duket se kërkon t’i kthejë nderin mauzoleumit të gjeneralit romak Marco Nonio Macrino, nga i cili u inspirua filmi.
Mbetjet arkeologjike u zbuluan në vitin 2008 në rrugën Flaminia në Romë dhe u konsideruan zbulimi më i rëndësishëm arkeologjik i 30 viteve të fundit. Por tani mauzoleu rrezikon të mbulohet sërish, sepse institucionet italiane nuk kanë mundësi financiare për të ristrukturuar.
Por duket se Crowe i “ka dalë për zot” mauzoleumit dhe po përpiqet të shfrytëzojë famën e tij për të mbledhur fondet e nevojshme. "Nga të gjitha shtetet e fuqishme të botës,- deklaroi Crowe, -Italia në veçanti duhet të shërbejë si guidë për promovimin e rëndësisë që ka eksplorimi dhe ruajtja e së kaluarës antike”.
Për të restauruar këtë sit arkeologjik nevojiten rreth 3 milion euro. Për të mbledhur fondet e nevojshme që nga dita e djeshme është publikuar online një peticion, inisiativë e Institutit Amerikan të Kulturës Romake, i cili bën thirrje për Shpëtimin e Varrit të Gladiatorit.