Teuta ka nisur përgatitjet pas disa ditëve pushim që prej eliminimit nga Liga e Europës. Te durrsakët kanë ndodhur jo pak ndryshime në këtë periudhë.Deri më tani janë afruar emra si Rustem Hoxha, Bllagoje Todorovski, Aleksandër Kuro, Albano Aleksi, Arlind Kalaja, Darko Nikaç, Xhonatan Lajthia dhe Orjan Xhemalaj. Lista është më e zgjeruar sa u përket emrave në dalje, duke filluar nga Latif Amadu, Erlis Frashëri, Sekou Kamara, Ditmar Bicaj, Esin Hakaj, Dajan Shehi, Armando Vajushi, Bubakar Traore, Tefik Osmani, Gerhard Progni, Tomislav Bushiç dhe Isli Hidi.
Në dyshim është edhe mesfushori nga Guinea, Lancinet Sidibe, i cili është në kontratë me Besëlidhjen. Klubi durrsak e ka sërish në plane lojtarin dhe nëse lezhjanët vendosin ta huazojnë, atëherë Teuta do të firmosë me Sidibenë.Mbrojtësi durrsak, Rustem Hoxha, ishte ndër të parët që firmosi me Teutën pas një sezoni te Luftëtari. Shtatlarti i mbrojtjes beson se skuadra do të bëjë një kampionat shumë të mirë, duke qenë pretendente deri në fund.
“Ekipi ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Kemi punuar për gjatë gjithë verës, duke bërë vetëm pak pushime. Kjo është në favorin tonë, sepse jemi një hap para skuadrave të tjera, fakt që do të na ndihmojë shumë në startin e sezonit. Gjithnjë në fillim të kampionatit ekipet kanë probleme dhe ne duke përfituar nga ngarkesa e nevojshme që kemi marrë, do të mundohemi të grumbullojmë sa më shumë pikë. Teuta ka disa vite që paraqitet denjësisht në kampionat dhe tashmë besoj se ka ardhur momenti që të hedhim hapin e madh.
Gjatë kampionatit të kaluar Teuta ka qenë në luftë për titull dhe besoj se sërish do të jemi pretendentë. Këtë e them duke u nisur edhe nga organika e skuadrës, e cila është plot me lojtarë cilësorë. Jemi të vetëdijshëm që këtë sezon rivaliteti do të jetë edhe më i madh, pasi disa skuadra janë forcuar së tepërmi.
Megjithatë, ne kemi besim tek aftësitë dhe forca jonë dhe nuk i druhemi asnjë kundërshtari. Edhe sa i përket Kupës, do të përpiqemi t’i shkojmë deri në fund këtij kompeticioni”, theksoi Hoxha, duke shpalosur objektivat që ka klubi për sezonin e ri.
Për të parë ecurinë e skuadrës gjatë përgatitjeve në muajin gusht, pritet që të zhvillohen edhe disa ndeshje miqësore me rivalë të Superiores. Këto do të jenë teste jo vetëm për të parë formën në të cilën ndodhet skuadra, por edhe për lojtarët e rinj të ardhur së fundmi, të cilët do të shikohen më mirë nga trajneri Bledi Shkëmbi. Klubi po punon që të bëjë disa afrime cilësore për të zëvendësuar më së miri titullarë si Hidi, Osmani, Progni dhe Bushiç.





