Autori i golit të parë dhe kapiteni i ekipit nuk e fshehu zhgënjimin pas përfundimit të ndeshjes, madje është larguar i fundit nga dhomat e zhveshjes. Për Hoxhën, kjo ndeshje duhej fituar dhe se skuadra u paraqit mirë, por disa episode vulosën barazimin.
“Jam shumë i zhgënjyer për këtë barazim, ishim përgatitur siç duhet dhe e kishim vlerësuar Flamurtarin, por siç rrodhi ndeshja duhet ta fitonim dhe të mos pësonim gol. Luajtëm mirë, por u ndëshkuam dhe vendosi një episod këtë ndeshje që u mbyll në barazim. Tani duhet të shikojmë para. Sa i përket mënyrës së festimit dua të them që golin ia dedikoj Ditës dhe familjes së tij që ta kalojnë sa më shpejt këtë moment dhe Brunos i uroj kthim sa më të shpejtë”.
Mesfushori Dita nga ana e tij i pranishëm në shkallët e stadiumit, falënderon ekipin dhe në veçanti kapitenin Hoxha për festimin e golin me bluzën me emrin e tij. “Dua të falënderoj ekipin dhe në veçanti Rustemin për mënyrën e festimit me bluzën me emrin tim, kjo skuadër është familja ime dhe më vjen keq që nuk morëm tri pikë. U uroj shokëve që në sfidat e ardhshme të marrin tri pikë dhe të kapin kupat e Europës”.