Për herë të parë këtë kampionat, Teuta arriti fitoren e tretë radhazi, duke konfirmuar momentin e mirë që po kalon në një periudhë ku gabimet kushtojnë shtrenjtë për skuadrat që kanë objektiva madhorë.

Duke përfituar edhe nga hapi fals i Vllaznisë, tashmë durrsakët e shohin veten 5 pikë më pak se kryesuesit. Qendërmbrojtësi i durrsakëve, Rustem Hoxha, foli për ecurinë e Teutës, duke filluar nga fitorja ndaj Tiranës dhe deri te ndeshja e radhës kundër Kukësit, që do të luhet të premten në “Niko Dovana”.

Rustem, gjetët fitoren e tretë radhazi, këtë herë në transfertë kundër Tiranës, duke ngushtuar në 5 pikë diferencën me Vllazninë kryesuese…?

Kjo është gjëja me e rëndësishme, pasi në pikën më kulminate të kampionatit, ne kemi një vazhdimësi të mirë. Unë shpresoj që të vazhdojmë me këto ritme, sepse tani është momenti që duhen pikët dhe të arrihet objektivi madhor që kemi.

Sakrifikuat për ekipin, duke luajtur me kavilje të dëmtuar, madje iu afruat edhe golit nga goditjet standarde. Jeni në 100 % apo ju ka lënë me pasoja ky aktivizim?

Është e vërtetë që kam patur një problem në kavilje dhe ka qenë serioz. Unë falënderoj fizioterapistin e ekipit, Ervin Shembitraku, për të gjithë punën e palodhur që bëri gjatë javës nga tri orë në ditë. Falë Zotit ia dola të isha i gatshëm ndaj Tiranës dhe arritëm që të fitonim në këtë ndeshje kaq të rëndësishme. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte.

Jeni mbrojtja më e mirë e kampionatit, teksa skuadra në 20-të javë ka pësuar vetëm 8 gola. Cili është sekreti?

E kam thënë dhe vazhdoj ta them, që sekreti i mbrojtës së mirë nuk është vetëm katër lojtarët që bëjnë pjesë në këtë repart dhe portieri. Unë mendoj se janë të gjithë lojtarët shumë aktivë në fazën mbrojtëse dhe për më tepër vigjilentë. Kjo fillon që në pjesën sulmuese. Vetëm pjesa e finalizimit ka stonuar pak, por e rëndësishme është që ne nuk po pësojmë gola. Fakti që dalim shpesh para portës, por nuk finalizojmë, mendoj që dhe fati do të na kthehet, sidomos tani që jemi më ketë ecuri të mirë prej tri fitoresh rresht. Jam i bindur që do të shënojmë më shumë dhe do të arrijmë një seri fitoresh radhazi.

Ju fituat, por të njëjtën gjë bënë edhe Partizani e Laçi. Si e shikoni garën për titull deri në fund?

Lufta për titull tashmë është ndarë, pasi jemi katër ekipet e para që do të shkojnë deri në fund. Por, nuk duhet të harrojmë Tiranën dhe Kukësin, që pavarësisht se janë larg me pikë, mendoj që kanë lojtarë me kualitet. Këto ekipe janë gjithmonë të rrezikshme dhe duhen patur kujdes. Unë shikoj që deri në fund do të jetë një garë e fortë për titullin, por shpresoj që Teuta të arrijë e para në finish. Megjithatë, rëndësi ka që t’i marrim gjërat sipas radhës, duke vijuar me Kukësin. Duhet të japim maksimimun për të fituar ndaj tyre.

Besoni te një tjetër fitore ndaj Kukësit?

Është një ndeshje shumë e fortë, pasi Kukësi ka lojtarë me shumë kualitet. Mendoj që kanë një ekip shumë të mirë dhe një trajner me eksperiencë në kampionatin tonë. Por, pavarësisht kësaj, Teuta do të futet në fushë për të marrë maksimumin, duke dhënë 100%. Futbolli do pak fat, por që mos të na mbetet asgjë pishman, duhet të bëjmë më të mirën për të mposhtur këtë kundërshtar.

Kapiteni i ekipit, Renato Arapi, i cili është edhe “partneri” juaj në mbrojtje, ka thënë së fundmi se ju meritoni një ftesë në Kombëtare. E ëndërroni këtë?

E falënderoj Arapin për vlerësimin dhe besimin që ka tek unë. Dihet që për të gjithë futbollistët kur nisin karrierën, ëndërrojnë që një ditë të veshin edhe fanellën e Kombëtares. Stafi teknik është profesionist dhe mendoj që do t’u japë të gjithëve atë që meritojnë. Nëse unë do e meritoj ftesën, besoj se do të më ftojnë. I uroj fat ekipit Kombëtar dhe shpresoj të realizohet ëndrra e të gjithë shqiptarëve, për të parë skuadrën tonë në Botëror.