Pas rikthimit tek Teuta, mbrojtësi Rustem Hoxha ka folur me optimizëm për ndeshjet që e presin ekipin në Ligën e Europës. Lojtari që ka mbajtur për vite me radhë edhe shiritin e kapitenit, fillimisht foli për përgatitjet në Bullgari.
“Po kryejmë nga dy seanca stërvitore në ditë, çka ka bërë që të marrim ngarkesë të madhe, ndryshe nga stërvitjet e zakonshme. Por, fatmirësisht, nuk kemi pasur dëmtime dhe lojtarët janë në formë të mirë. Një gjë të tillë e kemi treguar edhe në ndeshjen miqësore që luajtëm ndaj Botev. Vërtet kemi humbur minimalisht, por kemi krijuar shumë raste për shënim. Besoj se deri më 11 korrik do të jemi në formën e duhur. E dimë që nuk është e lehtë ndaj Ventspils, por ne besojmë te grupi që kemi dhe jam i bindur që do ia dalim”, deklaroi Hoxha.





