Teuta vazhdon përgatitjet në terren, madje me dy seanca në ditë, teksa vëmendja tani është te ndeshja e radhës me Bylisin në shtëpi. Trajnerit Magani i janë rikthyer Hyseni me Çyrbjen që i janë bashkuar grupit në stërvitje, por ka gjasa që të mos jenë të gatshëm për ndeshjen e fundjavës me Bylisin. Ndërsa mungesë tjetër e rëndësishme është edhe elbasanasi Lamçja, i cili ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë.
Stafi i ka kërkuar grupit të ketë kujdes dhe të punojë për këtë ndeshje, pasi kundërshtari do të luftojë nga minuta e parë deri në të fundit për të marrë pikë në Durrës, prandaj duhet që të mos nënvlerësohet në asnjë moment ekipi ballshiot. Qendërmbrojtësi shtatlartë Rustem Hoxha flet për përballjen me ballshiotët, sfidë e cila paraqitet mjaft e vështirë, por durrsakët janë të motivuar të japin maksimumin e tyre si në çdo ndeshje.
“Kemi lënë pas ndeshjen me Tiranën, ku mendoj se kemi bërë një paraqitje të mirë, sidomos në aspektin mbrojtës, dhe ia arritëm qëllimit që të dilnim me pikë nga ajo përballje. Ndërkohë që mesfusha dhe sulmi bëri më së miri detyrën e vet duke e mbajtur skuadrën lart. Tashmë po përgatitemi për një tjetër ndeshje, e cila do të luhet ndaj ekipit të Bylisit në shtëpinë tonë. Do të shtoja që është një përballje e vështirë. Ekipet po tregojnë që nuk kanë më frikë askënd dhe luajnë për të marrë tri pikë në të gjitha ndeshjet. Do të futemi në fushën e blertë për të dhënë maksimumin tonë, ashtu siç kemi bërë në çdo ndeshje e shpresojmë që të marrim një rezultat pozitiv. Të gjithë duken të motivuar gjatë përgatitjeve. Fakti që luajmë në fushën tonë, na motivon edhe më shumë para kësaj ndeshjeje, në të cilën urojmë të kemi edhe fatin me vete”, mbylli bisedën e tij mbrojtësi dhe kapiteni Rustem Hoxha.