Kapiteni i Teutës, Rustem Hoxha, thur elozhe për punën e trajnerit Gugash Magani dhe beson se skuadra durrsake do të arrijë objektivat. Qendërmbrojtësi flet për momentin e mirë që po kalon skuadra, si dhe synimet.

“Te Teuta nuk ka sekrete, por ka punë. Trajneri Magani ka arritur të harmonizojë grupin dhe ka punuar shumë. Afrimet në merkaton e janarit kanë bërë që të rritet dhe cilësia në ekip, por edhe lojtarët që ishin të përshtaten plotësisht me njëri-tjetrin. Kemi arritur në një pikë, që po e ndiejmë punën e bërë nga trajneri, si dhe japim më të mirën tonë në fushë.Mbrojtja është forcuar edhe më shumë, pasi u afrua Markoviç, një lojtar me eksperiencë. Por, edhe Sykaj, Shkalla dhe Erand Hoxha japin siguri. Në këtë periudhë trajneri ka bërë disa ndryshime taktike, që mendoj se kanë dalë të suksesshme, përderisa sa kemi marrë rezultate pozitive”, është shprehur fillimisht titullari i durrsakëve.

Mbrojtësi komentoi edhe ndeshjen e radhës me Skënderbeun.

“Ne do të luajmë për të marrë rezultat pozitiv. Jemi në formë të mirë, prandaj nuk do të shkojmë atje për t’i shtuar një fitore tjetër Skënderbeut, por për të marrë pikë. Nuk na intereson aspak se çfarë ka bërë kundërshtari, por çfarë do të bëjmë ne. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës”, ka thënë lideri i mbrojtjes durrsake.

Sipas Hoxhës, Kupa është një tjetër synim. “Llogaritë tona do t’i bëjmë në fund dhe, së pari, duhet të sigurojmë mbijetesën. Natyrisht, përderisa jemi në gjysmëfinalen e Kupës, shpresojmë që t’i shkojmë deri në fund. Do të luajmë për të shkuar në finale, pse jo ta fitojmë Kupën”, përfundoi kapiteni i Teutës.