29 maj 2015 – Rustem Hoxha parashikon një Teutë ndryshe për sezonin e ri. Mbrojtësi i Teutës shfaq bindjen se durrsakët nuk do ta diskutojnë më mbijetesën, përkundrazi ata do të rikthehen në mesin e ekipeve që rivalizojnë për objektiva madhore. Duke i bërë një analizë, sezonin që u mbyll vetëm pak ditë më parë, e cilësoi tejet negativ. Sipas mbrojtësit, skuadra çedoi në disa përballje shumë të rëndësishme, ku kishte të gjitha mundësitë të dilte nga tapeti i gjelbër me pikë të plota.
“Personalisht do ta konsideroja një kampionat shumë negativ dhe jashtëzakonisht të lodhshëm. Fakti që diskutuam mbijetesën deri në javën e parafundit, për mua nuk është gjë tjetër veçse zhgënjim, ndaj e them me bindje se ky kampionat që sapo u mbyll ishte negativ. Patjetër që kemi bërë shumë ndeshje të mira, por ai që ka më shumë rëndësi në futboll është rezultati. Dhe, në fakt, ato munguan, çka kuptohet qartazi duke parë shifrat. Në këto kushte, mendoj se ka qenë një sezon për t’u harruar. E them këtë, sepse Teuta kishte të tjera objektiva në startin e sezonit dhe si përfundim u katandisëm te mbijetesa, të cilën e arritëm falë golit në shtesë. Por kam bindjen se vitin tjetër kjo histori nuk do të përsëritet më. Madje, ne do të rikthemi aty ku e ka vendin Teuta, në ekipet që do të kenë pretendime madhore. Do të jemi ai ekipi që i hap punë kujtdo”, u shpreh mbrojtësi.
Rustem Hoxha bën pjesë te lista e lojtarëve që janë në fund të kontratës me skuadrën e Teutës dhe është në pritje për të mësuar të ardhmen e tij, sikurse edhe pjesa tjetër e grupit që kanë statusin e tij. Dëshira e lojtarit është të qëndrojë edhe për sezonin e ardhshëm në radhët e “djemve të detit”. Por kjo do të mësohet vetëm pas takimit me presidentin e skuadrës, Edmond Hasanbelliu, i cili do të vendosë nëse durrsaku do të jetë në planet e skuadrës për sezonin 2015-2016.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/