Nga Shpëtim KODRA
Jeta është luftë mes ëndrrës e realitetit, ndërsa liria e vërtetë është njohja. Poezia, si lloji i parë e më i lartë i arteve është njohje përmes zemrës. Poezitë e R.Goles pasqyrojnë lirinë e brendshme poetike dhe vizionin e tij për jetën, shoqërinë, natyrën. Në vargjet e dy vëllimeve te reja poetike “Skulptura ujore” dhe “Mërzi me këpucë letre”, shfaqet poeti me formim kulturor e artistik (estetik), mësuesi me gjuhën e pasur dhe intelektuali, qytetari që jeton me kohën, me problemet e që demonstron një shpirt human. Në poezitë, poemat, si dhe poe-prozat (dikush përdor termin “proezi”), Ruzhdi Gole dëshmon se, jo vetëm i ka qëndruar besnik verbit poetik, por edhe ka ardhur duke e pasuruar tematikën e duke përpunuar stilin e tij. Poezia është streha, ku ai ndjehet vetvetja. Na servir një poezi elitare, ku dominon figuracioni metaforik e simbolik, që ka një shprehimësi më të lartë. Për këtë po sjell krahasimin e mëposhtëm.
Duke lexuar poezitë e R.Goles, për rastësi, m’u kujtua poeti i njohur Artur Rembo. U ndala në pak vargje të tij: ”Lindja s’e di, në fillim|Vdekja ndoshta mbarim|Sot, dje,atje. Ne ishim, Jemi|Kohën burg e kemi|Vazo, botën kemi…|Nesër për ju s’do të ketë|Sot ti je i gjithi ky moment”. Shprehja e tij “Unë është një tjetër” pasqyron dyzimin dhe misterin e personalitetit të tij si krijues. Ndërsa shprehjen tjetër të tij “Të ndryshojmë jetën” e morën surrealistët, të cilët e konsideronin Rembonë një poet gjenial, unik e antikonformist. Juvenali:”Rebelizmi të bën poet”.Poetët janë njerëzit më të ndjeshëm dhe rebelizmi ndaj rregullave të ngurta poetët modernë e modernistë i bën edhe të ngjashëm, edhe të ndryshëm, nga stili, forma dhe përmbajtjë e veprave.
Vargjeve të Rembosë po u ve pranë vargjet e Ruzhdi Goles:”Do të shkoj në Himalaja vetëm|Sot jetoj në Himalaja|n’Atdheun tim, fillikat|me të tjerë|…atbir|Rroftë ajri i pastër, atbir|i botës gjer në Mars”. Ndërthurja e koncepteve kundërthënëse të çon , jo vetëm në këtë rast, në asociacione jo të lehta për t’u interpretuar, por që të nxitin të reflektosh. Këtu shoh kalimin nga një kapërcim poetik pindarik, në një fluturim ndërplanetar. Mbahen parasysh, besoj, arritjet e shkencës moderne, që synon të shkelë edhe në planetin Mars e më tej. Në mjaft raste fjalët dhe vargjet e R.Goles “lëshohen të bëjnë dashuri të lirë ndërmjet tyre”, po të përdorim shprehjen e një shkrimtari surrealist. Kërkimet dhe eksperimentimet e tij formale metaforike e simbolike, krijojnë një gjendje mendore dhe emocionale të veçantë.
Në vëllimet poetike të lartpërmendura janë tejkaluar liritë poetike(të përcaktuara) dhe skemat metrike, duke përdorur lloje të ndryshme (të përziera) vargjesh e strofash. Poetët i kanë krijuar vargjet e lira, të thyera, të bardha; strofat safike, alkeiste, aleksandrine, anakreontike, si dhe sonetin me 14 vargje, apo atë me 15 vargje (kodën). Poetët modernë e modernistë e kanë hapur horizontin e krijimtarisë poetike. Edhe në vëllimet poetike të R.Goles janë krijuar vizione imagjinare, si dhe përfytyrime fantazie vetjake, duke përdorur, “tituj të çuditshëm e metafora kapriçioze”, siç shprehet F.Amursi. Në poezitë e tij janë fiksuar çaste frymëzimi të përcaktuara (me orare të sakta) e që shprehin lidhje simbolike të imazheve konkrete e abstrakte, si dhe ide e mesazhe të nënkuptuara.
Jeta dhe natyra i sugjerojnë poetit tema e motive të pafundme:”Tastierë luan pranvera”. Kështu zona e Kelmendit (me Selcën, Tamarën, Lëpushën e Vermoshin),me bukuri të rralla natyrore, i kanë nxitur poetit frymëzimin për mjaft poezi. I shpeshtë është animizmi, kur sendet dhe fenomenet e natyrës shpirtëzohen (si qenie të gjalla): ”Deti kafshon buzët”, apo personifikimi “Tungjatjeta, Alpe”! Një pasuri figuracioni poetik dhe asociacionesh të dukurive natyrore e jetësore, hasim në poezitë e shumta, poe-prozat dhe poemat. Fantazia e ndezur transmeton tallazet e botës shpirtërore të poetit, brenda këtij qytetërimi të zhurmshëm, plot kontraste, konflikte e luftra, ku poeti me shpirt të ndjeshëm, e ndien vetminë (me të tjerë):” Vetmia është lodhja ime”. Qytetërimi e ka shtuar vetminë. Dikur, në mbijetesë, kish më solidaritet.
Por, brenda shqetësimeve dhe shpirtit të trazuar, nga zhgënjimi për venitjen e idealeve, pulson ndjenja fisnike e dinjitetit njerëzor. Vargu: “O popull i poshtëruar nga fajtorë plot fanfara” pasqyron gjendjen e rëndë, shkaku i parë e kryesor i së cilës pohohet në vargun tjetër: ”Drejtësia t’vërtetën s’e ka për bijë e ligjin për bir”.Por demokracia e vërtetë është pikërisht liria, e vërteta, drejtësia. Progresi e regresi i shoqërisë varet nga niveli i drejtësisë. Kadare:” Drejtësia është turpi i kombit”. Lidhur me tjetërsimin, zhvleftësimin e poshtërimin e njeriut, Migjeni shprehet:”Në vend që të naltsohet, njeriu poshtnohet”. Si interpret i tendencave progresiste, poeti R.Gole vijon më tej:”Shpifja ushqen stomakun e grykësve”. Edhe në Kuran thuhet:”Shpifja është krim më i rëndë se vrasja”. Kurse V.Hygoi shprehet: “Shpifësit gjakpirës ndiejnë një lumturi të zezë”. Ndjehet rebelimi, pakënaqësia e revolta edhe në këto vargje:”Ismail Qemali pa shtatore| rrënqethet koloneli jetëgjatë Tomson|Një drapër i padukshëm, ca mendjefjollë| gllabëron parqe, Tina Tërner guraçokët|Nga akrepat e dhjetorit ca lot rrjedhin|Shpresa e velave ta nxit lundrimin|Veç një velë lundrimin ma mbyll”.
Me gjuhën e poezisë shprehet kështu shqetësimi qytetar, për të cilin vijon ende një proces gjyqësor i stërzgjatur. “Veliera” e ngritur është konsideruar një “krim” nga arkeologu Gj:Frashëri, apo nga Birn “një gërmadhë moderne arkitektonike”, me hekur e beton, që ka gllabëruar një hapësirë të madhe, duke mbuluar një monument fortifikimi të sh.13. Veliera duket sikur bën thirrje për eksod të përjetshëm. Ka sfiduar një simbol të Durrësit, Torrën veneciane, por dhe ndërtesën e vjetër e të bukur të hyrjes së Portit. Poeti dënon të shëmtuarën dhe mbron të bukurën, konceptin themelor estetik të artit. Ai vëren që injoranca ka shkulur bustet e I.Qemalit e të Tina Tërnerit, ashtu siç ka shkulur edhe një tjetër simbol të qytetit, para Bashkisë, shatërvanin e vitit 1928. Ndërsa Kolonel Tomsonin, që dha jetën për Shqipërinë, e degdisin sa në një vend, në tjetrin.
Baticat e zbaticat shpirtërore shprehen e transmetohen përmes gjuhës metaforike e simbolike. Në shërbim të kësaj gjuhe janë krijuar mjaft kompozita e fjalë të reja (neologjizma), mbi bazën e fjalëve të rralla, dialektale, apo të rikrijuara. Krijimi i fjalëve të reja nga shkrimtarët më të njohur e pasuron fjalorin e gjuhës shqipe, që ka mbetur prapa zhvillimeve të reja.
Pozitiv është fakti përdorjes së disa trajtave të gegërishtes, që japin një tingëllim më të bukur poetik. Veprat letrare e artistike na pasurojnë dhe na fisnikërojnë shpirtërisht. Edhe dy vëllimet e reja poetike të R.Goles janë në shërbim të këtij qëllimi të lartë. Në tërësi, në veprën e tij, bashkëjetojnë në harmoni ndjenja e mendimi, si dëshmi e dinjitetit dhe e virtyteve humane.
Shpëtim Kodra -studiues