Prokuroi i akuzuar se i mori qytetarit 18 mijë euro ryshfet e ka mohuar një gjë të tillë sot, para kolegëve të Krimeve të Rënda, teksa e kanë marrë në pyetje. 

“Nuk kam lidhje me 18 mijë eurot. Oficeri përdori emrin tim”,- ka deklaruar prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Ardian Braho, i cili u shoqërua mbrëmë pas video-skandalit ku një oficer gjyqësor merrte 18 mijë euro ryshfet për prokurorin.

Braho u pezullua nga detyra me urdhër të Kryeprokurorit Adriatik Llalla menjëherë pas transmetimit të videos në emisionin ivestigativ “Stop”, ndërsa akuzohet për korrupsion pasiv. 

“E kam marrë vendimin e pushimit të çështjes për paratë e bllokuara mbi bazën e provave dhe fakteve që dolën gjatë hetimit”, ka deklaruar më tej prokurori.

Dosja për të cilën bëhet fjalë dhe që kishte të bënte me bllokimin e një llogarie prej 150 mijë eurosh ndiqej pikërisht nga Prokurori Braho.

Pas publikimit të videoskandalit, Prokuroria e Krimeve të rënda firmosi urdhër-arrestin për oficerin e policisë gjyqësore Fatos Lushi. Ndaj dy zyrtarëve të prokurorisë së Tiranës ka nisur hetimi kryesisht, për “korrupsion pasiv”.

Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme në deklaratën për media thekson se nxit çdo media dhe çdo qytetar që të denoncojë rastet e korrupsionit në drejtësi, duke dhënë në këtë mënyrë ndihmesën për përmirësimin e mëtejshëm të dhënies së drejtësisë në Shqipëri. lidhur me rastin e prokurorit Braho, ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i cili dënoi ngjarjen dhe kërkoi një hetim të thellë e të plotë nga ana e prokurorisë.