Ka kaluar për gjykim dosja në ngarkim të ish-sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, specialistes Laura Shteto, biznesmenit Vladimir Topi dhe inxhinierit Silvi Shehu të cilët akuzohen për ryshfeti 3.3 mln lekë për tenderin e MSH-së.
Gazetarja Klodiana Lala, raporton se gjatë seancës Joana Duro nuk ka pranuar akuzën dhe ka kërkuar rikualifikim të veprës penale, nga korrupsion të funksionarëve të lartë shtetëror në korrupsion të funksionarëve publik.
“Në seancë, Joana Duro, përveç faktit se nuk ka pranuar akuzën, ka kërkuar rikualifikim të veprës penale, nga korrupsion të funksionarëve të lartë shtetëror në korrupsion të funksionarëve publik, duke sjellë si situatë krahasuese Alqi Bllakon që akuzohet për inceneratorët. Gjykata e rrëzoi kërkesën e Duros, duke arsyetuar se për rikualifikimin e veprës penale nuk mund të sillet si referencë rasti i Alqi Bllakos pasi nuk ka një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë lidhur me këtë çështje”, tha gazetarja.
Ndaj Joana Duros rëndon akuza e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.
E njëjta akuzë rëndon edhe mbi të pandehurën Laura Shteto, ndërsa biznesmeni Vladimir Topi dhe inxhinieri i kompanisë së tij, Silvi Shehu akuzohen nga SPAK për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.