Përveç përcaktimit në ligj, qeveria kishte edhe një arsye tjetër që nuk e shtyu regjistrimin e adresave. Ajo ka lidhje me taksën e re të pronave. Gjithkush i kujton formularët që i ndanë shtëpi më shtëpi. Në ato formularë, përveç adresave, kërkohej edhe diçka tjetër. Kërkohej sipërfaqja e banesës apo biznesit, shkruan “Panorama”.
Dhe kjo kishte një arsye. Premtimin e qeverisë shqiptare për një taksë të re për pronat, shtëpitë dhe tokat në të gjithë vendin. Kjo taksë e re, do të fillojë në shtator dhe do të prekë të gjithë shqiptarët që kanë në pronësi një apartament, shtëpi apo sipërfaqe toke. Ndaj duhet qartësuar i kujt ishte apartamenti, në mënyrë që të faturohej taksa e re.
Me mbylljen e adresarit, tashmë gjithçka është gati dhe kanë filluar llogaritjet. Në shtator, pritet që qeveria të miratojë ligjin e ri të taksimit të pronës, dhe metodologjinë e llogaritjes së taksës. Në fakt, edhe formula duket se është gati. Janë dy propozime të FMN-së, që e qartësojnë. Do të paguajmë më shumë taksë prone.
KËRKESAT E FMN-SË DHE BE-SË
Në rekomandimin e fundit për Shqipërinë, krahas vlerësimeve për situatën ekonomike, KE ka një sërë rekomandimesh për të ardhmen, ku përfshihet edhe taksa e re e pronës. KE i kërkon qeverisë “Të këmbëngulë me përpjekjet e kohëve të fundit për mobilizimin e të ardhurave, në veçanti (i) duke forcuar më tej administratën e taksave; (ii) duke zgjeruar bazën e taksave bazuar në një rishikim të shpenzimeve të taksave; dhe (iii) duke futur një taksë pronësie të bazuar te vlerësimi”. Kërkesa e KEsë është e njëjtë me atë të FMN-së. “Autoritetet shqiptare duhet të përshpejtojnë punën për të përfunduar kadastrën fiskale për vlerë- simin e taksës së duhur për çdo pasuri të paluajtshme.
Në këtë drejtim, ata duhet të fillojnë hartimin e metodologjisë dhe formulës së vlerësimit”, thekson FMN-ja. QEVERIA DO TA BËJË Qeveria shqiptare, në të gjitha marrëveshjet me FMNnë është shprehur e gatshme për aplikimin e taksës së re. Në fakt, edhe në buxhetin e qeverisë, që në fillimet e paktit me FMN-në theksohet:
“Krijimi i kadastrës fiskale, e cila do të evidentojë çdo pasuri të paluajtshme bashkë me vlerën e tregut në funksion të miradministrimit të takës së pasurisë. Krijimi i kësaj kadastre do të shoqërohet me rishikimin e sistemit të taksimit të pasurisë së paluajtshme, duke kaluar nga taksë fikse për m² në përqindje mbi vlerën e tregut.
Sipas vlerësimeve të FMN-së, kjo reformë do të sjellë rritje të të ardhurave të tatimit mbi pronën nga 0.13% të PBB-së në 0.55% të PBB-së”. Pra, parashikohet që taksa e re të rrisë me të paktën 4 herë të ardhurat në buxhet.
SI DO TË LLOGARITET
Duke qenë një formulë e re, parashikohet që taksa për pronën do të aplikohet në disa qytete pilote. Tirana, Durrësi, Korça dhe Fieri janë qytetet ku kadastra fiskale dhe taksa e re e pronës do të nisë të aplikohet në fillim.
Formula është e thjeshtë. Sot qytetarët, në Tiranë dhe Durrës, paguajnë një tarifë fikse prej 15 lekë/m² për apartamentet e ndërtuara para vitit 1993 dhe 30 lekë/ m² për apartamentet e ndërtuara pas vitit 1993. Në Korçë dhe në Fier, taksa është 10 lekë për shtëpitë para 1993 dhe 12 lekë për shtëpitë pas vitit 1993.
Një shtëpi e kohës së komunizmit në Tiranë, me sipërfaqe 100 m², paguan taksë prej 1500 lekësh në vit. Llogaritë janë sipas sipërfaqes së shtëpisë, duke e shumëzuar me taksën aktuale. Por FMN, që ka asistuar prej tri vitesh qeverinë, ka sjellë edhe një propozim të ri. Sipas këtij propozimi, taksa e pronës duhet të variojë nga 0.075% deri në 0.15% të vlerës së apartamentit.
Por vlera e apartamentit është relative. Për këtë do të përdoren çmimet minimale fiskale për çdo zonë të Shqipërisë. Edhe amnistia, për rivlerësimin e pronave, kryesisht shtëpive me vetëm 2%, e cila përfundoi në fund të majit, i shërben pikërisht kësaj takse të re. Sipas formulës, në rast se një apartament ka një vlerë fiskale prej 100 mijë lekë/m², taksa që do të aplikohet, nëse do të merret propozimi i FMN-së, do të variojë nga 75 lekë për m² me formulën 0.075% të vlerës deri në 150 lekë/m² me formulën 0.15% të vlerës së apartamentit.
Pra, për një apartament 100 m² në Tiranë, vlera e taksës me këtë çmim fiskal do të jetë nga 7500 lekë në vit, në 15 mijë lekë në vit. Megjithatë, FMN thekson se do të jetë qeveria ajo që do të aplikojë normën e vet të taksimit, duke shtuar se mund të përdoret edhe taksim progresiv. Sidoqoftë, taksa e re e pronës do të jetë më e shtrenjtë sesa ajo aktuale. Parashikohet që të ardhurat të rriten të paktën 4 herë.