Një raport i Eurostat-it tregon se shpenzimet e shqiptarëve për bukë dhe drithëra janë shumë të larta në raport me të ardhurat e tyre.
Sipas këtyre të dhënave, këto shpenzime janë më të larta krahasuar me vende të tjera të Europës.
Buka është kryesore për çdo njeri në këtë vend, por me konsumin e saj duhet kujdes. Çdo drithë tjetër mund të mbulojë nevojat jetësore për bukën.
Racioni i nevojshëm ditor i drithërave, sa feta bukë janë të nevojshme
Një fetë bukë normale konsiderohet si një racion, por jo çdo fetë është e njëjtë me tjetrën, ndaj kujdesuni që buka të jetë me drithëra të plota.
Po ashtu, racioni ditor i bukës dhe i drithërave është në varësi të moshës, gjinisë dhe aktivitetit fizik. Racioni i drithërave përmban bukën dhe çdo drithë tjetër që konsumoni.
Ekspertë thonë se gratë nga 19 deri në 50 vjeç duhet të konsumojnë 6 racione drithi në ditë.
Gratë mbi 50 vjeç duhet të konsumojnë 5 racione drithi në ditë.
Burrat nga 19 në 30 vjeç kanë nevojë për 8 racione drithi në ditë, ndërsa ata nga 31 deri në 50 vjeç kanë nevojë për 7 racione.
Burrat mbi të pesëdhjetat duhet të konsumojnë 6 racione drithi në ditë. Fëmijët dhe adoleshentët kanë nevojë për më pak racione drithi në ditë.
Drithërat e plotë
Drithërat e plotë, pra jo të përpunuar, janë më të pasurit në ushqyes. Ekspertët këshillojnë se gjysma e bukës që konsumoni çdo ditë duhet të jetë e përgatitur me drithë të plotë.
Ushqyesit që ofron buka
Në varësi të drithit të përdorur, buka ofron vitamina të grupit B, minerale dhe fibër. Vitaminat B rregullojnë metabolizmin dhe ndihmojnë sistemin nervor.
Fibra është e nevojshme për tretjen ndërkohë që mineralet janë të domosdoshme për sistemin imunitar dhe nivelet e oksigjenit në gjak.