Nga BUJAR QESJA
Kjo që po shkruaj, është efekt emocional. Kjo që po bëj, është në pamje të parë gazetaria e vogël, por shumë e madhe në atë që përcjell, në përjetime, në trajtime njerëzore. Janë shkrime me emër dhe mbiemër, të njerëzve realë, prej mishi dhe gjaku, pjesë i këtij Durrësi tonin. Nuk janë krijime, as filozofime, as përsajatje trillesh. Vendos ta trajtoj jetën time, me jetën e bashkohësve të mi, të durrsakëve të mi, me një pjesë të të cilëve takohemi rrallë, shumë rrallë.
Një i tillë, është edhe kardiologu i njohur Llazar Shani. Me 9 mars 2025, u takuam tek “Pema e Jetës” e Artur Bujarit. Atë ditë, kur Turi u ngjall nga kujtimet tona. Por u ngjallëm edhe ne të gjallët, duke u përshëndetur me miq e të njohur, që si kishim takuar prej heri. Tek “Pema e Jetës”, takuam pjesë të jetës tonë, e cila përbëhet nga miqësia, shoqëria dhe të afërmit. Takuam as më shumë dhe as më pak me Llazar Shanin.
Është i datëlindjes 16 prill 1942. E kishte ruajtuar fizionominë. Nuk qe prishur, ndonëse mosha i është ulur mbi krye. Ky brun ishte zbardhur, por e qeshura, humori fin, e folura e qetë dhe e shtruar, as kishte ndërmënd ti zbehej. Kjo na e ofroi plotësisht, portretin e njohur të mjekut popullor të zemrës Llazar Shani. Disa herë para vetes, por edhe të tjerëve u kam thënë, si mundet që këto mjekë të zemrës të diagnostikonin një popull të tërë pa mjetet e nevojshme. Mungonte ekoja. Mungonte koronografia. Shumë gjëra mungonin nga këto, që sot janë bërë rutinë.
Me një aparat tensioni, me një ekg të kohës Nojës, që më shumë nuk dukej se çfaqej Llazar Shani dhe kolegë të tij po kaq të njohur si Riza Xhepa, Ben Çeta, Frano Shkjezi, Hurma Çerma mbanin lart moralin e njerëzve të sëmurë. Një djalosh elegant, me një të ecur si në ritmet e rrahjes së zemrës, lëvizte shpejt nëpër rrugët e Durrësit. Zemra stë pyet, të fik derën dhe Llazari kishte harruar të ecte me hap.
Paraardhësit e kardiolëgëve të sotëm, ishin në vështirësi mjetesh, por në avantazh të përpjekjeve të jashtëzakonshme për të trajtuar të sëmurët. Sakrifica dhe vështirësi sa të duash, por punuan me sa mundën dhe si munden dhe ia dolën me kushtet që kishin. Operimet ishin të rralla. Jashtë stë nxirrte kush, e mjaft nga tanët edhe janë larguar nga kjo jetë. I përcillnim me fjalët “aq e pati”, “kështu ishte shkruajt” etj.
Dhe ky Llazar Shani, na riçfaqet pas disa dekadash tek “Pema e Jetës” e Artur Bujarit dhe familjes së tij. Tek kjo “Pemë”, ku veçanërisht durrsakët, do të jenë të privilegjuarit klientë të kësaj “Jete”. Kur u takuam me shumë mall, së bashku me ne ishin edhe Muhamed Laknori, por dhe Kristaq Prifti. Meti është i 27 marsit 1942, 20 ditë më i madh nga Llazar Shani. Ndërsa unë me Kristaqin, jemi 9 vite më të rinj se ata.
Që të katër jemi inxhinjerë. Kristaqi inxhinjer mekanik, Llazari inxhinjer i zemrës, Meti inxhinjer i detit dhe unë inxhinjer i publiçistikës. Kemi studiuar në universitetet me rektor popullin. Eh jetë! Sa e dashur me durrsakë, që kanë bërë çmos për këtë Durrës dhe për bashkqytetarët e tyre.
Pa humbur kohë, siç ndodh shpesh në kësi rastesh, kryem tre foto. Kujtim i bukur. Me Llazar Shanin, pas shumë e shumë vitesh pa u parë.
Nga biseda me këtë Shani të zemrës, mësuam se ka punuar tërë kohën dhe vazhdon të mos ndalet. Shërbeu për shumë kohë në San Rafaelo të Milanos dhe tani punon në Istituti Clinici Zucchi San Donato Milanese. Pasi mbaroi më parë për mjeksi dhe kirurgji në Universitetrin e Tiranës, iu desh të përfundonte edhe një universitet të dytë, po këtë herë në Itali. Mbaroi studimet e larta në fakultetin e mjeksisë dhe kirugjisë në “La Sapienza” të Romës.
Kardiologu shqiptar Llazar Shani, u bë po kaq i njohur dhe profesionist i aftë edhe në Itali. Jeton në Monza me familjen, por as ka ndërmënd të ndahet nga profesioni. Njëlloj energjik si më parë. Njëlloj durrsak si më parë. Një lloj mik i mirë si më parë.
Momente të tilla, nuk duhen lënë të na ikin. Durrsakët tanë, duhet të dinë se çfarë bëhet me personazhe humane, që i kanë shërbyer me zell atyre dhe paraardhësve.
Pamje me Llazar Shanin. Kujtesa erdhi shumë e freskët si dikur, kur qendronim së bashku ne këtë Durrësin tonë të përmallshëm. Foto për kujtim. Foto për histori. Foto për ta kqyrë, sa herë malli na mund.
Jemi me Llazar Shanin. Mos u plaksh 83 vjeçari ynë!