Taksapaguesit shqiptarë pritet të paguajnë së paku 176 milionë euro si pasojë e vendimeve të gjykatave të arbitrazhit për shkeljet kontraktuale të qeverisë shqiptare ndaj kompanive të huaja. 

Shifrat kanë ndryshuar gjatë viteve duke u rënduar edhe më shumë. Nëse bëjmë një krahasim me vitin 2020 dhe 2021dëmet sa vijnë dhe rriten, ndërkohë që numri i pretenduesve është shtuar.

Borxhi rrezikon të shkojë mbi 445 mln €.

Sipas të dhënave të paraqitura në relacionin e projektbuxhetit 2023, vlera e detyrimeve faktike të pranuara ka arritur në 65.2 milionë euro, ndërsa vlera e llogaritur si kontigjencë për humbje të mundshme ka prekur vlerën e 111.1 milionë eurove.

Kush e “groposi” Shqipërinë?

Çështja tjetër për të cilën qeveria ka pranuar një detyrim faktik është ajo kundrejt GBC Oil Company, në vlerën e 13.4 milionë eurove.

Ndërkohë, vlera e detyrimeve kontigjente apo të lidhura me humbje të mundshme në arbitrazh është llogaritur nga qeveria shqiptare për një vlerë prej 111 milionë eurosh.

Në pjesën dërrmuese, 109 milionë euro (108 milionë euro detyrim dhe pak më shumë se 1 milionë euro kontigjencë për shpenzime ligjore), kjo kontigjencë lidhet me çështjen e humbur në shkallët e deritanishme të gjykimit me biznesmenin itaian Francesco Becchetti.

Qeveria ka pranuar se në 2 prill 2021, një trupë e posaçme e Gjykatës së Arbitrazhit ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për të anuluar vendimin në favor të kompanive italiane, Hydro S.r.l. and Costruzioni S.r.l., dhe katër shtetasve italianë Francesco Becchetti, Mauro De Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti.

Sipas qeverisë, shuma që duhet t’iu paguhet subjekteve të mësipërme është 99 milionë e 487 mijë euro, plus interesat.

Në prospektin e Eurobondit të fundit, thuhet gjithashtu se përfituesit kanë nisur procedurat për njohjen dhe ekzekutimin e detyrimit në Shqipëri, Austri, Belgjikë, Angli, Itali dhe Hollandë. Madje, qeveria shqiptare ka pranuar se Becchetti dhe përfituesit e tjerë kanë arritur të mbledhin një pjesë të shumës së fituar në disa shtete, duke përfshirë Anglinë, Francën dhe Italinë.