Ngjarja tragjike ku humbi jetën 14-vjeçari Erald Xhejo ka prekur thellë edhe familjet që kanë kaluar të njëjtën dhimbje. Një reagim prekës ka ardhur nga nëna e Martin Canit, nxënësit që ndërroi jetë në nëntor në shkollën “Fan Noli” në Tiranë.

Në mesazhin e saj, ajo i bën thirrje institucioneve që të mos heshtin përballë këtyre ngjarjeve tragjike, duke theksuar se çdo humbje jete e të miturëve është një plagë e madhe për gjithë shoqërinë.

“Ate mëngjes e percolla për në shkollë si gjithmonë, me sytë e tij plot jetë dhe buzeqeshjen e tij të ëmbël, por nuk e dija se ajo ishte hera e fundit që e shihja. Dje ishte Martini, sot ishte Eraldo, nesër mund të jetë fëmija yt. Heshtja nuk është zgjidhje sepse ajo vret. Edhe sa Martina apo Eraldo duhet të ikin që shteti të reagojë? Erald bir, të qaj sot si për tim bir,” shkruan ajo në mesazhin e saj.