Tiranë, 13 maj 2014 – Në fund të sezonit futbollistik 2013-2014, klubet e Superiores bëjnë bilancet e sezonit përsa u përket objektivave, ku rëndësi të veçantë kanë edhe zërat financiare. Titulli i katërt radhazi kampion i Skënderbeut, i pesti në historinë, i mbush me rreth 30 milionë lekë arkat e klubit korçar.

Në bazë të rregullores së Federatës Shqiptarë të Futbollit, ekipi kampion i Shqipërisë përfiton 10 milionë lekë si shpërblim për këtë arritje, ndërsa 140 mijë Euro, që bëjnë gati 20 milionë lekë, Skënderbeut i akordohen nga UEFA vetëm për pjesëmarrjen në raundin e dytë kualifikues të UEFA Champions League.

Kukësi, Laçi dhe njëra mes Flamurtarit dhe Teutës, që do të përfaqësojnë futbollin shqiptar në Europa League, vetëm nga pjesëmarrja në raundin e parë kualifikues të këtij kompeticioni përfitojnë nga 120 mijë Euro secila.

Nëse Kukësi e ka të sigurtë pjesëmarrjen në Europë, lufton në finalen e Kupës jo vetëm për trofeun por edhe për 5 milionë Euro shpërblim që akordon FSHF. Ndërsa suksesi i mundshëm në finalen e Kupës i mbush arkat e Flamurtarit me mbi 20 milionë, pasi përveç premios së FSHF-së do të siguronte edhe pjesëmarrjen në Europa League.

Një vlerë të konsiderueshme monetare ka edhe çmimi i “Këpucës së Artë” i fituar nga Pero Pejic, i cili realizoi 20 gola përgjatë kampionatit. Kroati do të marrë 200 mijë lekë shpërblim nga FSHF për këtë çmim individual, i pari në karrierën e tij. Sa i përket Kategorisë së Parë, Elbasani që fitoi titullin kampion shpërblehet nga FSHF me 3 milionë lekë, ndërsa “Këpuca e Artë” e kësaj kategorie me 100 mijë lekë.

Mirëpo ky çmim mund të mos akordohet nga institucioni i futbolli për shkak të garës së pandershme në javën e fundit të kampionatit, ku Agastra i Tërbunit parakaloi Raboshtën e Butrintit pasi realizoi 5 gola në një ndeshje.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/