DURRËS, 17 qershor 2014 – Edhe pse fondi 65 mijë euro i dhënë nga buxheti i shtetit është i pamjaftueshëm për pastrimin e kanalit të ujërave të larta të Spitallës, një firmë nga Levani i Fierit merr përsipër të bëjë këtë punë vetëm me rreth 45 mijë euro, ose me 69 për qind të parave në dispozicion.
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave njofton se në tenderin e zhvilluar më 9 maj 2014 për kontratën “Kanali i ujërave të larta Spitallë, Durrës”, kanë marrë pjesë 22 firma private, një numër i konsiderueshëm për një fond nga buxheti i shtetit prej 9 031 000 lekë (65 mijë euro).
Pjesëmarrja e kaq shumë operatorëve ekonomikë dëshmon se “është bërë keq për lek”, madje problemi merr ngjyra dramatike-komike; firma e parë ofron vetëm 4 930 085 lekë (35 468 euro) ose me 54.6 për qind të fondit limit; e dyta jep 5 966 090 lekë (42 920 euro) ose 66 për qind të fondit limit); e treta 6 094 700 lekë; e katra 6 223 250 lekë; kurse e pesta, shoqëri fierake, që u kualifikua, merr përsipër ta bëjë me 6 231 560 lekë (44 831 euro) ose me 69 për qind të fondit limit.
Vetëm 3 operatorët e fundit “guxojnë” t’i afrohen limitit: i 20-ti me 8 129 645 lekë; i 21-ti me 8 636 800 lekë dhe i 22-ti me 8 811 480 lekë.
Po ashtu bëhet e ditur se u shkualifikuan 7 ofertues, katër të parët, pastaj i gjashti, i 16-ti dhe i 18-ti.
Parashikohet që të gjitha punimet të përfundojnë brenda dy muajve, në prag të vjeshtës.
Info 1 / Firma fituese “Bean” shpk
Adresa: Fier, Levan, lagjja Qendër, pranë shkollës 8-vjeçare.
Data e regjistrimit 12/02/1998.
Ndërtim objektesh të të gjitha llojeve e për të gjitha sferat (industriale, bujqësore, turistike hidroteknike, banesa, ndërtim rrugësh, gurë, zhavorr, çakëll, gëlqere, instalime elektrike, import-eksport, tregtim karburantesh të llojeve të ndryshme, transport mallrash e pasagjerësh. Përgatitje dhe shpërndarje ushqim katering.
Info 2/ Kanali i Ujërave të Larta Spitallë
Kanali është i gjatë 5,5 km dhe ka 15 vjet pa u pastruar.
Është i bllokuar nga ndërtimet pa leje mbi argjinaturë, e kanë mbuluar kallamishtet dhe plehrat urbane, ujërat e zeza, duke bërë që vërshimet e kodrave gjatë shirave, në vend që të derdhen në Porto Romano, dalin në rrugë në Spitallë dhe ish-kënetë.
Në vitin 1961, ndërsa vazhdonte në mënyrë intensive ndërtimi i hidrovorit në Porto Romano, paralelisht hapej kanali i ujërave të larta të Spitallës.
Ky kanal i merr ujërat e kodrës me rrjedhje të lirë e i derdh në det pa energji elektrike.
Është edhe kanali i Shënvlashit që merr ujërat nga Mulliri i Bullgarit, vjen rrotull në kodrën e Rrashbullit dhe përfundon në Plepa; edhe ky me rrjedhje të lirë.
Hidrovori është ndërtuar të përballojë ujërat që bien në zonën mes këtyre dy kanaleve, ndërkohë që ujërat e kodrës nuk i përballon dot.
Derdhja në hidrovor edhe e ujërave që grumbullojnë dy kanalet e mëdha do të kërkonte shpenzime shumë të mëdha dhe se kostoja për të përballuar shpenzimet për energji elektrike do të ishte shumë e madhe.
Ky është fondi i dytë që jepet për Durrësin pas atij për rehabilitimin dhe pyllëzimin e kodrave të Currilave.
Por u takon institucioneve shtetërore të qarkut të Durrësit, si dhe pushtetit vendor të ndjekin nga afër punimet e pastrimit të kanalit, në mënyrë që të shmangen shpërdorimet e mundshme të fondit, i cili dhe kaq është i pamjaftueshëm.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





