Banka e Shqipërisë: kërkesë e plogësht konsumatore dhe performancë e dobët të kredisë për banesa gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013

TIRANË, 24 gusht 2013 – Njerëzit nuk kanë para të blejnë banesa, gjë që ka ndikuar në indeksin e çmimit të banesave, i cili vijoi trendin rënës gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013, duke u ulur me rreth 10.7 për qind në terma vjetorë nominalë, thotë Banka e Shqipërisë. I deflatuar me indeksin e çmimeve të konsumit, tkurrja e çmimeve të banesave ishte 12.7 për qind. Ecuri të ngjashme regjistroi edhe indeksi i qirave, i cili shënoi rënie me rreth 6.3 për qind në terma nominalë vjetorë, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013. Në terma vjetorë realë, kjo rënie ishte rreth 8.3 për qind. Për Bankën e Shqipërisë, ecuria e çmimeve të banesave gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013, ka reflektuar kryesisht një kërkesë të plogësht konsumatore dhe performancë të dobët të kredisë për banesa. Megjithatë, bazuar në vrojtimin e aktivitetit kreditues, standardet për kredinë hipotekare janë lehtësuar gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2013, dhe kërkesa e individëve për kredi për blerje banese është rritur pak. Ky zhvillim i ndërthurur me pritjet për një rigjallërim të ofertës (përmirësim i besimit të sektorit të ndërtimit dhe rritje e numrit të lejeve të ndërtimit), do të përcaktojnë lëvizjen e çmimeve në periudhën në vijim. Është paksa paradoksale të flitet për gjallërim të sektorit të ndërtimit të banesave pas rritjes së lejeve të ndërtimit, teksa vërehet rritje e stokut të apartamenteve të pashitura. Megjithatë Banka e Shqipërisë thotë se zhvillimet më të fundit në tregun e banesave tregojnë se çmimet e shitjes kanë filluar të bien krahasuar me marrjen me qira të tyre, sipas analizës së raportit të indeksit të çmimit ndaj qirasë. Ky raport është rreth 4.7 për qind më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ky tregues shënoi rritje me rreth 6.8 për qind (për shkak të rritjes së çmimit të banesave në terma tremujorë). Megjithëse në rënie në terma vjetorë, ky tregues vijon të qëndrojë mbi trendin e tij historik.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/