Edhe pse Italia është vend fqinj në kampionatin prestigjioz të futbollit Serie A historikisht shqiptarët kanë qenë të pakët dhe numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Sigurisht, edhe për shkak të nivelit të lartë që ka pasur liga elitare italiane vite më parë, ka qenë ëndërr që shqiptarët të luanin në Serie A. Të gjithë kujtojnë me nostalgji kur emrat si Igli Tare dhe Erion Bogdani luanin për skuadrat italiane, të vetmit për vite me radhë që militonin në Serie A. Mirëpo, sot situata ka ndryshuar, pasi numri i shqiptarëve që aktivizohen në Serie A, B dhe Lega Pro janë të shumtë. Për të mos thënë se në Serie A ka një numër më të lartë se në dy ligat e tjera më të ulëta të kampionatit italian. Duke nisur nga Elseid Hysaj, i cili është më i shtrenjti dhe luan për një skuadër prestigjioze si Napoli, ka të tjerë që aktivizohen dhe kanë perspektivë të madhe. Të gjithë aktivizohen me kombëtaren kuqezi, qoftë me ekipin e parë apo Shpresat, duke i dhënë edhe një “aromë” Serie A edhe ekipit kombëtar, i cili drejtohet nga një italian si Xhani De Biazi. Shqiptarët e Serie A:
Elseid Hysaj – Napoli
Etrit Berisha – Lacio
Thoma Strakosha – Lacio
Arlind Ajeti – Torino
Berat Gjimshiti – Atalanta
Frederik Veseli – Empoli
Ledian Memushaj – Peskara
Rej Manaj – Peskara
Leonardo Maloku – Peskara





