Forcat e policisë së zjarrfikëseve të qytetit të Durrësit kanë improvizuar rënien e zjarrit në katin e dytë të shkollës “Beqir Çela”, në Shkozet të Durrësit.

Zjarrfikësit prej ditësh kanë trajnuar nxënësit e kësaj shkolle profesionale për të ndërhyrë me efikasitet e shpejtësi, në shuarjen e zjarrit dhe në shpëtimin e jetëve. Mësimi tregues u realizua me pjesëmarrje të nxënësve dhe të zjarrfikësve të cilët në kohë reale kanë paraqitur me përpikmëri masat që ndërmerren  në rast zjarri.

Ky mësim tregues vjen në prag të nisjes së sezonit veror ku shërbimi zjarrfikës në Durrës u ka nisur një mesazh të gjithë subjekteve që operojnë veçanërisht në zonën e plazhit, për marrjen e një sërë masash konkrete në lidhje me shuarjen e zjarrit në rast të rënies së tij.

Fatmir Tare, specialist në policinë për mbrojtjen dhe shpëtimin ndaj zjarrit në Durrës, u kujtoi të gjithë subjektet fizike dhe juridike që operojnë në zonën e plazhit dhe me gjerë të marrin masa për sigurimin e skuadrave dhe mjeteve për parandalimin dhe për fikjen e zjarreve. Deklarata e Tares është bërë pas përfundimit të mësimit tregues në shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela” në Durrës, ku nxënës të shkollës kanë improvizuar veprime në terren pas rënies së zjarrit në katin e dytë të shkollës së tyre.

Një nga nxënësit pjesëmarrës në mësimin tregues thotë se për dy ditë me radhë jemi trajnuar nga efektivat e stacionit zjarrfikës të qytetit për të vepruar në rastet e rënies së zjarrit.

Drejtori i shkollës “Beqir Çela”, Fatmir Merkuri është shprehur se mesime të tilla praktike ndikojnë pozitivisht në aftësimin praktik të nxënësve për të qenë të gatshëm në raste të tilla emergjente.

Pas mësimit tregues me nxënës të shkollës së mesme, drejtoria e PMNZSH pritet të nisë edhe trajnimin e personelit të hoteleve në zonën e plazhit.

K.H.