Shumica e anëtarëve të parlamentit gjerman nuk ka të ardhura dytësore prej më shumë se 1000 euro në muaj apo 10,000 euro në vit, të cilat duhet t’i deklarojnë në mënyrë të posaçme. Megjithatë një ndër katër deputetë – pra 178 nga gjithsej 630 deputetë që ka parlamenti gjerman – ka të ardhura  dytësore që e kalojnë këtë kufi. Disa prej tyre janë për shembull anëtarë bordesh mbikëqyrëse, të tjerë krahas mandatit si deputetë punojnë si avokatë, apo kanë ndonjë fermë.

Sipas një studimi të Fondacionit Otto Brenner të realizuar në bashkëpunim me nismën abgeordnetenwatch.de, 178 deputetët që krahas politikës merren edhe me bizneset e tyre kanë fituar rreth 26.5 deri në 48.7 milionë euro.

Arbitrarizëm?

Deputeti dhe bujku Josef Rief (CDU) kritikon fatin se deputetët janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat, por jo fitimin. Ai thotë se pasi zbret nga të ardhurat shpenzimet për pagat dhe harxhimet e tjera të nevojshme për fermën prej 50 hektarësh si dhe të fermës për mbarështrimin  e derrave, atij nga të ardhura prej 686.000 deri në 1,1 milionë euro, i mbeten si fitim rreth 11.000 euro. Sipas tij lista e përpiluar nga Fondacionit Otto Brenner dhe nisma abgeordnetenëatch.de është arbitrare.

Edhe deputeti dhe bujku nga Brandenburgu Hans-Georg von der Marëitz thotë se ai nuk mund të heqë dorë nga ferma, meqë është zgjedhur si deputet. Edhe sipas tij lista nuk është e sakte, sepse deputetët që nxjerrin të ardhura dytësore prej leksioneve, konsulencave apo posteve në borde mbikëqyrëse sipërmarrjesh të ndryshme, nuk kanë shpenzime për personel dhe harxhime të tjera, dhe nuk u duhet të zbresin shpenzime të tilla nga të adhurat e tyre.

P.sh. ish-kandidati i SPD-së për postin e kancelarit Peer Steinbrück, ka fituar që nga viti 2009 prej fjalimeve dhe referateve 1,25 milionë euro si dhe 110.000 euro të tjera si anëtar i bordit mbikëqyrës të koncernit të çelikut ThyssenKrupp.

Rregulla të reja për më tepër transparencë

Për shkak të akuzave se deputetët fitojnë shumë me punë dytësore, parlamenti ka vendosur në vitin 2013 një sistem të ri të përshkallëzuar për deklarimin e të ardhurave. Ky shkon nga 1.000-3.500, shkalla më e ulët, e deri në 250.000 euro, shkalla më e lartë.

Por sipas autorëve të studimit për të ardhurat e parlamentarëve që të dy deputetët bujq, pra Josef Rief dhe Hans-Georg von der Marëitz, janë edhe anëtarë të Komisionit Parlamentar për Ushqimin dhe Bujqësinë.

Gregor Hackmack, bashkëthemelues i nismës për vëzhgimin e deputetëve abgeordnetenëatch.de, thotë për DË se “është problematike kur në një komision të tillë janë anëtarë deputetë që kanë vetë ferma dhe që marrin vendime për subvencionime prej të cilave përfitojnë edhe fermat e tyre.”

Sipas studimit vihet re se në përgjithësi deputetët në përfundim të periudhës elektorale kanë më tepër të ardhura nga punë dytësore, se sa në fillim kur kanë marrë mandatin. Në këtë rast Gregor Hackmack shtron pyetjen, a i kanë gjetur ata këto punë dytësore falë mandatit si deputetë?

Megjithatë sipas tij rregullat për më tepër transparencë  dhe sistemi i ri i përshkallëzuar për deklarimin e të ardhurave ka bërë që shumë deputetë t’i kufizojnë punët e tyre dytësore. Por sipas mendimit të Gregor Hackmack këto rregulla duhet të ashpërsohen edhe më tej. /DW/