Në një takim me strukturat e partisë të mbajtur në qytetin e Durrësit, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka komentuar zëvendësministrat e rinj të qeverisë “Rama 2”, një ditë pas publikimit të tyre zyrtar në Asamblenë e PS-së.

Kryemadhi tha publikisht para kamerave se këta 33 zv.ministra në fakt nuk janë as socialistë, as profesionistë, por janë qokat që kryeministri u ka bërë 4 grupeve mafioze, për të ndjekur zullumet e tyre.

Me këto fjalë, kryetarja e LSI-së komentoi publikisht emërimet e reja në qeveri. Por komentet e saj rreth këtyre figurave nuk përfundojnë këtu. Të paktën jo në mënyrë publike e zyrtare.

Siç raportuam edhe në një artikull të mëparshëm, pas takimit me strukturat, znj.Kryemadhi zhvilloi edhe një mbledhje disi më private me rrethin më të ngushtë të drejtuesve të saj në qarkun e Durrësit.

Nga burime konfidenciale brenda kësaj mbledhjeje, “DurrësLajm” mëson se deputetja Kryemadhi ka vënë në lojë zëvendësministret e reja, duke u marrë po ashtu edhe me paraqitjen e tyre fizike.

Ato janë shoqet e Ramës sipas Kryemadhit, të cilat veç të tjerash, qenkan edhe të shëmtuara.

Kaq ka mjaftuar që një batutë e tillë e thënë nga goja e kryetares së tyre, të vijojë me të qeshura të mëdha në sallë nga LSI-stët e Durrësit.

Solli edhe nga Kosova këto shoqet e veta. Po sa të shëmtuta i zgjedh…”, tha Monika Kryemadhi, një nga deputetet e Kuvendit që i mëshon aq shumë emancipimit dhe përfshirjes së grave në politikë e funksione drejtuese, duke të bërë përshtypje nga ana tjetër diskriminimi dhe rëndësia që ajo i kushton në një mbledhje të rëndësishme paraqitjes fizike, që në fakt nuk ka lidhje me detyrën për të cilën pushtetarët tanë zgjidhen…