Pas shumë kohësh heshtjeje, Sadije Berisha tregon për herë të parë arsyet e divorcit nga Shkëlzen Berisha. Në një intervistë për ‘Living’, ajo rrëfeu se shkaqet që e çuan në ndarje kanë qenë të shumta dhe ato nuk lidheshin vetëm me marrëdhënien me Armina Mevlanin, e nisur 6 vite pas krizës.
‘Që në fillim, mundësitë ishin kundër nesh, që nga diferenca në moshë, te mospranimi i familjes, fakti që ishim rritur në vende të ndryshme, në mënyra të ndryshme dhe me mendësi të ndryshme.’
Sadija tregoi se kriza mes tyre ka nisur në vitin 2007, kur Shkëlzeni u kthye nga Suedia- vendi ku jetonin-në Tiranë. ‘Fillimi i fundit erdhi me kthimin e tij në Shqipëri’, pohoi më tej ajo. Shkëlzen Berisha dhe Armina Mevlani dolën publikisht për herë të parë në qershor të 2014-ës.
Sadije Berisha, 49 vjeç, është nënë e katër fëmijëve, dy më të vegjëlit nga martesa me Shkëlzen Berishën. Tani, ajo është në një marrëdhënie të re dhe pohon që ndihet e lumtur.
Nuk ka ndërmend të martohet sërish, pasi, siç e thotë me humor, do të bëhej ‘si Elizabeth Taylor’, e ndarë me 7 burra.
Si një ndër mikeshat më të afërta të Elia Zaharisë, Sadijes i është besuar organizimi i ceremonisë martesore të Oborrit Mbretëror shqiptar.





